Figura opozitare venezuelase, Machado, ia dhuron Trumpit Çmimin Nobel për Paqe
Maria Corina Machado tha se i ka dhënë Trumpit çmimin prestigjioz si "mirënjohje për angazhimin e tij unik ndaj lirisë sonë"
Washington
Figura e opozitës venezuelase, Maria Corina Machado, tha të enjten se ia ka dhuruar presidentit amerikan Donald Trump Çmimin Nobel për Paqe, duke sfiduar deklaratën e Komitetit Nobel se ky çmim nuk mund të transferohet, transmeton Anadolu.
“Presidentit të Shteteve të Bashkuara ia dorëzova medaljen e Çmimit Nobel për Paqen”, u tha Machado gazetarëve në Kapitol pas takimit me Trumpin dhe më pas me ligjvënës amerikanë. Ajo tha se ia ka dhënë Trumpit çmimin prestigjioz si “një shenjë mirënjohjeje për angazhimin e tij unik ndaj lirisë sonë”.
Instituti norvegjez i Nobelit deklaroi të premten se Çmimi Nobel për Paqen nuk mund të transferohet, pasi Machado kishte sugjeruar se mund t’ia jepte çmimin e saj të vitit 2025 Trumpit.
“Faktet janë të qarta dhe të mirëpërcaktuara. Pasi një Çmim Nobel shpallet, ai nuk mund të revokohet, të ndahet apo të transferohet te të tjerët. Vendimi është përfundimtar dhe mbetet i tillë përgjithmonë”, thuhet në deklaratën e institutit.
Çmimi iu nda Machados për përpjekjet e saj në “promovimin e të drejtave demokratike për popullin e Venezuelës dhe për luftën e saj për të arritur një tranzicion të drejtë dhe paqësor nga diktatura në demokraci”.
Takimet e Machados në Washington pasuan një operacion ushtarak amerikan të urdhëruar nga Trump, i cili çoi në kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro, dhe bashkëshortes së tij, Cilia Flores, më 3 janar. Maduro dhe Flores më pas u nxorën nga Venezuela dhe u dërguan në SHBA, ku po përballen me gjyq për akuza që lidhen me armë dhe lëndë narkotike.
Trump deri më tani ka refuzuar ta mbështesë Machadon për të udhëhequr Venezuelën, duke thënë se ajo nuk ka mbështetjen dhe respektin e popullit venezuelian.
“Mendoj se do të ishte shumë e vështirë për të të jetë udhëheqëse”, tha Trump menjëherë pas kapjes së Madurós. “Ajo nuk ka mbështetjen brenda vendit, as respektin e brendshëm. Është një grua shumë e mirë, por nuk ka respektin”, ishte shprehu Trump.
Nuk është e qartë nëse qëndrimi i tij ndaj politikanes venezuelase ka ndryshuar pasi ajo ia dha atij Çmimin Nobel, por Shtëpia e Bardhë të enjten përshëndeti marrëdhëniet me autoritetet e përkohshme të Venezuelës, ndërsa Trump po takohej me Machadon.
Zëdhënësja Karoline Leavitt tha se zyrtarë të administratës, përfshirë sekretarin e Shtetit Marco Rubio, “kanë qenë në komunikim të vazhdueshëm” me presidenten e përkohshme të Venezuelës, Delcy Rodriguez, pas kapjes së presidentit Nicolas Maduro, duke e përshkruar qeverinë e përkohshme si “jashtëzakonisht bashkëpunuese” me SHBA-në.
“Ata deri tani kanë përmbushur të gjitha kërkesat dhe kërkesat e Shteteve të Bashkuara dhe të presidentit”, tha Leavitt, duke përmendur shitjen e naftës venezuelase në vlerë prej 500 milionë dollarësh dhe lirimin e të burgosurve politikë nga Karakasi. “Presidentit i pëlqen ajo që po sheh dhe pret që ky bashkëpunim të vazhdojë”, shtoi ajo.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
