Fidan: Turqia e gatshme të bëjë gjithçka që duhet për të kontribuar në përpjekjet e vazhdueshme të paqes në Gaza
Ai njoftoi se po zhvillohet një diskutim gjithëpërfshirës në lidhje me një forcë ndërkombëtare në Gaza dhe se po kryhet një vlerësim në lidhje me mënyrën se si do të vendoset forca, cili do të jetë misioni dhe sipas cilave rregulla do të veprojë
Stamboll
Ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, ka deklaruar se vendi i tij është i gatshëm të bëjë gjithçka që duhet për të kontribuar në përpjekjet e vazhdueshme të paqes në lidhje me Gazën, raporton Anadolu.
Komentet e ministrit fidan erdhën gjatë edicionit të 23-të të Forumit të Dohas në kryeqytetin e Katarit, kur u pyet nëse Ankaraja po shqyrton dërgimin e trupave në Gaza.
Duke njoftuar se po zhvillohet një diskutim gjithëpërfshirës në lidhje me një Forcë Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, Fidan tha se po kryhet një vlerësim i plotë në lidhje me mënyrën se si do të vendoset forca, cili do të jetë misioni i saj dhe sipas cilave rregulla do të veprojë.
Ai bëri thirrje për një qasje “realiste” ndaj misionit të forcës kur përcaktohen pritjet, “sepse ka realitete në terren”.
“Mendoj se objektivi ynë i parë në vendosjen e Forcave Ndërkombëtare të Stabilizimit duhet të jetë ndarja e palestinezëve nga izraelitët në vijën kufitare. Ky duhet të jetë objektivi ynë kryesor. Pastaj, mund të adresojmë çështjet e tjera të mbetura”, tha Fidan.
Që Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit të jetë efektive, theksoi ai, duhet të krijohet dhe trajnohet një forcë policore dhe duhet të krijohen administrata lokale për të krijuar një komitet të paqes.
Shefi i diplomacisë turke tha se mbetet e paqartë se cilat vende do të kontribuojnë në forcë, por procesi do të marrë formë gradualisht sapo të vendoset Forca Ndërkombëtare e Stabilizimit.
Më tej, Fidan theksoi se Ankaraja zbatoi një politikë të dyerve të hapura pas luftës civile siriane dhe se kjo politikë i shërbeu qëllimeve humanitare. Sipas tij, bashkëpunimi ndërkombëtar është i nevojshëm për të siguruar stabilitetin në Siri.
Ai tha se ajo që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, po përpiqet të bëjë në aspektin e ndërmjetësimit dhe aktiviteteve të ndërtimit të paqes përputhet me interesat e Turqisë.
Lidhur me luftën e vazhdueshme Rusi-Ukrainë, ministri turk tha se Evropa duket se ka nevojë për “zgjidhje më krijuese për t’u bërë më rezistente”.
“Mendoj se e vetmja mënyrë e qëndrueshme për të vazhduar dhe për ta përfunduar këtë luftë është të angazhohemi me besnikëri dhe forcë në bisedimet e paqes. Aktualisht po zhvillohet një ndërmjetësim i mirë. E di që Evropa ka çdo arsye për të mos i besuar Rusisë dhe gjithashtu anasjelltas, nëse e dëgjon Rusinë ajo ka çdo arsye për të mos i besuar askujt tjetër. Po ata kanë perspektivat e tyre”, tha Fidan.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
