Politikë, Bota

Fidan: Retorika e zyrtarëve izraelitë lidhur me armët bërthamore duhet të merret seriozisht

"Türkiye përsërit thirrjen e saj për çarmatim bërthamor të rajonit për të parandaluar një garë të mundshme të armëve bërthamore", tha kryediplomati turk, Fidan

Selen Valente Rasquinho  | 21.03.2024 - Përdıtësım : 22.03.2024
Fidan: Retorika e zyrtarëve izraelitë lidhur me armët bërthamore duhet të merret seriozisht

Bruksel

Ministri i Jashtëm i Türkiyes, Hakan Fidan deklaroi se duhet të merren seriozisht deklaratat e zyrtarëve izraelitë lidhur me armët bërthamore ndërkohë që në Gaza vazhdon masakra, raporton Anadolu.

Fidan foli në Samitin e Parë të Energjisë Bërthamore të mbajtur në Bruksel, të organizuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) dhe qeveria belge. Pasi falënderoi IAEA-në dhe Belgjikën për organizimin e takimit në kohën e duhur, Fidan tha se "Samiti përbën një pikë kthese në aspektin e të ardhmes së energjisë bërthamore civile".

Duke thënë se me këtë rast, u konfirmua roli i energjisë bërthamore civile në sigurinë energjetike dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike, Fidan tha se "Türkiye aktualisht po zbaton një rrugë solide të energjisë dhe strategji të diversifikimit të burimeve me një agjendë ambicioze të tranzicionit të energjisë së pastër".

Ai theksoi se si një ekonomi industriale që rritet me shpejtësi, Türkiye ka vënë në zbatim programet e reja të furnizimit të energjisë dhe se për këtë arsye ka hedhur hap në fushën bërthamore civile.

"Centrali Bërthamor Akkuyu është projekti ynë pionier", tha Fidan i cili shoi se centrali do të plotësojë 10 për qind të nevojave të Türkiyes për energji elektrike kur të jetë plotësisht funksional dhe se ky nivel synohet të rritet duke ndërtuar objekte shtesë konvencionale si dhe reaktorë të vegjël modularë.

"Si një vend që hedh hapat e tij të parë në këtë fushë, ne zbatojmë standardet më të larta ndërkombëtare të sigurisë në bashkëpunim me IAEA-në. Do të doja të theksoja rëndësinë e bashkëpunimit global për financimin e projekteve të energjisë bërthamore", tha kryediplomati turk.

- Situata në centralin bërthamor Zaporizhzhia

Ministri Fidan tha se situata e përjetuar në centralin bërthamor Zaporizhzhia në Ukrainë është burim shqetësimi dhe potencoi se "Vendi dhe rajoni ynë ishte i detyruar të përjetojë katastrofën e Çernobilit. Nuk mund të durojë një tjetër".

Ai vuri në dukje se Türkiye ka ndërmarrë iniciativa të ndryshme për të parandaluar një katastrofë të ngjashme në Zaporizhzhia.

- Retorika e armëve bërthamore dhe situata në Gaza

Pasi nënvizoi se përdorimi i armëve bërthamore ose kërcënimi në këtë drejtim nuk mund të jenë të pranueshme, Fidan tërhoqi vëmendjen se këto retorika hedhin hije mbi kërkimin e përbashkët për një të ardhme të sigurt dhe të pastër në aspektin e energjisë.

"Rajoni që ndodhet me shumë nën presion nga ky aspekt është Lindja e Mesme. Duhet të merren seriozisht deklaratat e zyrtarëve izraelitë lidhur me armët bërthamore ndërkohë që në Gaza vazhdon masakra dhe nuk mund të kalohen duke thënë vetëm se 'janë të pamatura'. Për këtë arsye Türkiye përsërit thirrjen e saj për çarmatim bërthamor të rajonit për të parandaluar një garë të mundshme të armëve bërthamore", tha Fidan.

Kryediplomati turk tha se vlerësojnë rolin kritik të IAEA-së në zhvillimin e sigurisë bërthamore dhe peizazhit të sigurisë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.