Bota

Fidan pas takimit me Lavrovin: Gjenocidi dhe tragjedia njerëzore në Gaza duhet të ndalen menjëherë

"Si Turqi dhe Rusi do të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë", tha Fidan lidhur me zhvillimet në Siri

Ekip  | 27.05.2025 - Përdıtësım : 28.05.2025
Fidan pas takimit me Lavrovin: Gjenocidi dhe tragjedia njerëzore në Gaza duhet të ndalen menjëherë

Moskë

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Hakan Fidan, tha se gjenocidi dhe tragjedia njerëzore në Gaza duhet të ndalen menjëherë, raporton Anadolu.

Në kuadër të vizitës së tij në Rusi, Fidan u takua me homologun e tij Sergey Lavrov në Moskë. Pas takimit të dy homologët mbajtën konferencë të përbashkët për media.

Duke folur për sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës, Fidan tha: "Gjenocidi dhe tragjedia njerëzore në Gaza duhet të ndalen menjëherë. Përndryshe, është e pamundur të parandalohet kaosi që do të përfshijë edhe Izraelin".

"Kjo dhimbje, gjak dhe lot nuk do të kalojë pa pasoja. Kjo duhet të ndalet menjëherë. Njerëzimi dhe bashkësia ndërkombëtare duhet të tregojnë një përpjekje të plotë për të kaluar provën humanitare në të cilën ka dështuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë me Rusinë në këtë drejtim", tha Fidan.

Ministri i Jashtëm turk deklaroi gjithashtu mbështetjen e përbashkët të Turqisë dhe Rusisë për sovranitetin dhe unitetin e Sirisë, ndërsa punojnë për të arritur stabilitetin dhe mirëqenien.

"Si Turqi dhe Rusi do të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur unitetin dhe integritetin territorial të Sirisë", tha Fidan lidhur me zhvillimet në Siri.

Fidan tregoi se ata diskutuan gjithashtu zhvillimet e rëndësishme që kanë ndodhur në pesë muajt e fundit në drejtim të vendosjes së stabilitetit politik dhe ekonomik dhe sigurisë në Siri.

Ai theksoi se pavarësisht "fushatave të dezinformimit" që po zhvillohen vazhdimisht, Siria ka siguruar kryesisht mbështetjen si të publikut ashtu edhe të bashkësisë ndërkombëtare. Fidan vuri në dukje gjithashtu se Siria po përmirëson vazhdimisht aftësitë dhe burimet e saj në luftën kundër terrorizmit dhe krimit të organizuar.

Duke theksuar se Turqia mbështet përpjekjet për të bashkuar të gjitha grupet ushtarake në Siri nën një ushtri kombëtare dhe një komandë qendrore, Fidan theksoi rëndësinë e përdorimit të ndikimit të të gjitha palëve përkatëse për të siguruar zbatimin e memorandumit të nënshkruar më 10 mars midis Presidentit sirian Ahmad al-Sharaa dhe Farhad Abdi Shaheen.

Fidan nënvizoi se vendimet e marra nga SHBA-ja dhe BE-ja për të hequr sanksionet ndaj Sirisë janë jashtëzakonisht të rëndësishme. Ai shprehu kënaqësi të madhe me rezultatet e përpjekjeve intensive diplomatike të udhëhequra nga Presidenti turk Recep Tayyip Erdoğan për të siguruar heqjen e këtyre sanksioneve.

Kryediplomati rus Lavrov tha se me Turqinë kanë pikëpamje të përbashkëta lidhur me Palestinën. "Ajo që po ndodh në Gaza dhe Bregun Perëndimor është e papranueshme", u shpreh ai.

"Sa i përket raundit të dytë të negociatave midis Rusisë dhe Ukrainës, nëse më pyet mua, do t’u drejtohesha përsëri miqve tanë turq. Stambolli është shumë i mirë", tha Lavrov gjatë një konference të përbashkët për shtyp pas bisedimeve me Ministrin e Jashtëm turk Hakan Fidan, lidhur me negociatat e paqes midis vendit të tij dhe Ukrainës.

Turqia lehtësoi bisedimet e para të drejtpërdrejta pas tre viteve midis Rusisë dhe Ukrainës në Stamboll më 16 maj, ku të dy palët ranë dakord për një shkëmbim në shkallë të gjerë të të burgosurve që përfshinte një total prej 1.000 personash nga secila palë dhe për të vazhduar negociatat për një armëpushim.

Fidan në kuadër të vizitës së tij dyditore në Rusi, dje u prit edhe nga presidenti rus Vladimir Putin në Moskë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın