Bota

Familjet që humbën të afërmit e tyre në Masakrën e Anfalit i kërkojnë në burgun "Nugre Selman"

Afro 182 mijë njerëz humbën jetën në masakrat e kryera nga regjimi Baath në Irak në periudhën 1980-1988, të njohura edhe si "Operacionet Anfal".

Bekir Aydoğan, Hemin Othman Mohammed, Emrah Akbulak  | 03.05.2025 - Përdıtësım : 06.05.2025
Familjet që humbën të afërmit e tyre në Masakrën e Anfalit i kërkojnë në burgun "Nugre Selman"

Erbil

ERBIL (AA) - Familjet që humbën të afërmit e tyre në Masakrën e Anfalit, e cila u nis me urdhër të udhëheqësit të rrëzuar, Saddam Hussein në Irak, kërkojnë gjurmët dhe varret e të afërmve të tyre në burgun "Nugre Selman", raporton Anadolu.

Dëshmitarët e masakrës dhe familjet e atyre që humbën jetën vizituan burgun "Nugre Selman" në shkretëtirën Samawa, i cili u bë simbolik me masakrën në qytetin jugor të Musannas, në 37-vjetorin e Masakrës së Anfalit.

Pavarësisht viteve që kanë kaluar nga masakra, të afërmit e atyre që humbën jetën në këtë burg janë ende duke kërkuar varret. Dëshmitarët e masakrës nuk mund ta harrojnë atë që përjetuan aty.

- "Nuk e di se cili varr më përket mua"

Dilhosh Osman Sherif, i cili humbi 13 anëtarë të familjes së tij në Masakrën e Anfalit dhe në atë kohë ishte 3-vjeç, për Anadolu tha se e quajtën Dilhosh (I lumtur), por ai kurrë nuk e pa lumturinë për shkak të asaj që i ndodhi.

Dilhosh, i cili u rrit i vetëm pasi humbi nënën, babanë, vëllezërit, motrat dhe xhaxhain e tij në masakër, tha se familja e tij u vra këtu dhe se ata nuk kishin as varre.

"Familja dhe të afërmit e mi nuk kanë bërë asnjë mëkat. Do të doja të isha me ta dhe të mos i kisha parë këto ditë. Jeta nuk ka kuptim për mua. Eci me kokën ulur. Më parë kisha të dashur, por tani nuk kam askënd. Nuk di çfarë të bëj", tha Dilhosh.

Ai tha se nuk mban mend asgjë për familjen e tij dhe gjithmonë ka dashur të ketë një familje gjatë jetës së tij. "Nuk e di se cili varr më përket mua. Kur i shoh dhomat, të dashurit e mi dikur kanë qenë në këto dhoma. Pavarësisht se sa shumë thërras, askush nuk më përgjigjet", shprehet Dilhosh.

- Varrimi i trupave

Ali Abu Bakr Omar, i cili ishte 12-vjeç gjatë Masakrës së Anfalit, ishte një nga dëshmitarët e masakrës në burgun "Nugre Selman", ku u dërgua me familjen e tij.

Aliu deklaroi se burgu nuk ishte i tillë në kohën e masakrës dhe kishte dy dyer, dhe se atyre u jepej vetëm një copë bukë në mëngjes ose në mesditë.

"13 ose 14 njerëz në ditë vdisnin këtu nga sëmundjet ose uria. Disa prej tyre nxirreshin me makinat që ishin aty. Kur i nxirrnim, i varrosnim trupat. Ndonjëherë detyroheshim t'i linim disa prej tyre", tha Aliu.

- Njerëzit që humbën të dashurit e tyre në masakër po kërkojnë familjet e tyre

Fatma Hadi, e cila humbi nënën, 5 motrat, 3 vëllezërit dhe nënën e saj në masakër, tha se në atë kohë ishte 25-vjeçe. "I morën të gjithë, nuk më mbeti askush. Xhaxhai im dhe e gjithë familja e tyre kanë ikur. Shkoj te varret masive të vëllezërve dhe motrave të mia të bukura dhe qaj. Nuk e di se cili varr u përket atyre. Nuk ka mbetur asnjë gjurmë nga viktimat", tha Fatma.

Hasibe Ali Ahmed, e cila po kërkonte të afërmit e saj, tha se motra e saj dhe tre fëmijët e saj humbën jetën në masakër. "Po vij të gjej gjurmët e të afërmve të mi. Dua të sigurohem që janë varrosur këtu", tha ajo.

Një tjetër vizitore e burgut, Sabiha Ahmed Hajdar tha se motra, nëna, njerka dhe vëllai i saj u masakruan. "Erdha këtu për të gjetur gjurmët e tyre. Ne nuk duam asgjë. Ne vetëm duam që qeveria të gjejë gjurmët dhe identitetet e viktimave tona", tha Sabiha.

- Masakra e Anfalit

Afro 182 mijë njerëz humbën jetën në masakrat e kryera nga regjimi Baath në Irak në periudhën 1980-1988, të njohura edhe si "Operacionet Anfal".

Në këto operacione, 4.500 fshatra në provincat Sulaymaniyah, Erbil, Kirkuk dhe Duhok u dogjën dhe u shkatërruan ndërsa shumë kurdë irakianë u detyruan të iknin në vendet fqinje si Türkiye dhe Iran për arsye sigurie.

Në Irak, çdo vit më 14 prill, mbahen aktivitete përkujtimore për ata që humbën jetën në Masakrën e Anfalit.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın