Evropianët bëjnë thirrje për një rrjet social publik në nivel të BE-së
Nisma “Rrjeti Publik Social Evropian” bën thirrje për një platformë që do t’i shërbente shoqërisë, do të financohej publikish, do të funksiononte në mënyrë të pavarur nga presionet politike
Bruksel
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se qytetarët evropianë kanë nisur një nismë për krijimin e një platforme publike të rrjeteve sociale në nivel të Bashkimit Evropian (BE), transmeton Anadolu.
Nisma “Rrjeti Publik Social Evropian” i bën thirrje Komisionit Evropian të krijojë një platformë që do t’i shërbente shoqërisë, do të financohej publikisht, do të funksiononte në mënyrë të pavarur nga presionet politike dhe do të garantonte të drejtat e të gjithë përdoruesve pa dallim.
Komisioni Evropian konfirmoi se nisma përmbush kërkesat formale sipas Rregullores së Nismës Qytetare Evropiane (ECI), duke e bërë atë të pranueshme ligjërisht.
Megjithatë, regjistrimi nuk përbën një vlerësim të propozimeve të nismës dhe nuk ndikon në ndonjë veprim të mundshëm nga ana e Komisionit.
Sipas rregullave, organizatorët kanë gjashtë muaj kohë për të nisur një periudhë 12-mujore për mbledhjen e nënshkrimeve.
Nëse të paktën 1 milion qytetarë nga minimumi shtatë vende anëtare të BE-së e mbështesin nismën, Komisioni Evropian duhet të përgjigjet dhe të vendosë nëse do të ndërmarrë veprime legjislative, duke dhënë edhe arsyetimin për vendimin e tij.
Nisma Qytetare Evropiane (ECI) u lançua zyrtarisht në vitin 2012, për t’u mundësuar qytetarëve të kërkojnë nga Komisioni Evropian të propozojë legjislacion brenda kompetencave të tij.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
