Bota

"Evropa e gatshme të zotohet për garanci ligjërisht dhe politikisht detyruese për Ukrainën"

Kreu i Këshillit Evropian Antonio Costa theksoi se BE-ja është gati të ndihmojë në sigurimin e Kievit me garancitë e sigurisë të nevojshme për paqe të qëndrueshme

Melike Pala  | 06.01.2026 - Përdıtësım : 07.01.2026
"Evropa e gatshme të zotohet për garanci ligjërisht dhe politikisht detyruese për Ukrainën"

Bruksel

Udhëheqësit evropianë që morën pjesë në takimin e “Koalicionit të të Vullnetshmëve” në Paris kanë premtuar garanci “ligjërisht dhe politikisht detyruese” për Ukrainën, tha presidenti i Këshillit të BE-së, Antonio Costa, transmeton Anadolu.

Në një postim në platformën amerikane X, Costa e përshkroi takimin si “produktiv dhe të rëndësishëm” për avancimin e mbështetjes së koordinuar për Ukrainën.

“Ne jemi gati të angazhohemi për një sistem garancish politikisht dhe ligjërisht detyruese që do të aktivizohet sapo të hyjë në fuqi një armëpushim. BE-ja do të kontribuojë në përpjekjet për të siguruar garancitë e sigurisë që Ukraina ka nevojë për çdo marrëveshje për një paqe afatgjatë”, tha ai.

Costa shtoi se BE-ja do të vazhdojë të mbështesë rrugëtimin e Ukrainës drejt anëtarësimit në BE, do të mbulojë nevojat e saj financiare për dy vitet e ardhshme përmes kredisë prej 90 miliardë eurosh të rënë dakord dhjetorin e kaluar dhe do ta ndihmojë përmes misioneve civile dhe ushtarake në terren.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përshkroi takimin si një shfaqje të fortë uniteti me vendet anëtare të BE-së, aleatët e NATO-s dhe partnerët.

“Deklarata jonë e përbashkët dërgon një mesazh të qartë. Ne qëndrojmë kolektivisht pranë Ukrainës dhe një e ardhme e sigurt, e mbrojtur dhe e begatë është përpara”, shkroi ajo në X.

Më herët sot, presidenti francez Emmanuel Macron priti në Pallatin Elysee një samit të nivelit të lartë të “Koalicionit të të Vullnetshmëve” për Ukrainën, duke bashkuar vendet që e mbështesin Ukrainën dhe janë të gatshme të ofrojnë garanci sigurie nëse arrihet një armëpushim me Rusinë.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.