Bota

Eurokomisarja Kos: Jemi në gjysmën e rrugës së zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor

"Është bërë përparim i rëndësishëm, por ende ka shumë punë për të bërë për të përmirësuar jetën e qytetarëve në gjithë rajonin", ka thënë Komisarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian

Shpetim Hiseni  | 21.11.2025 - Përdıtësım : 21.11.2025
Eurokomisarja Kos: Jemi në gjysmën e rrugës së zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor Foto: Olsi Shehu / AA

Shkup

Komisarja për Zgjerim e Bashkimit Evropian (BE), Marta Kos, tha se gjysma e Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor tashmë është zbatuar, duke nënvizuar se megjithëse është bërë përparim i rëndësishëm, rajonin e pret ende shumë punë përpara, transmeton Anadolu.

"Tani jemi në gjysmën e rrugës së zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor. Është bërë përparim i rëndësishëm, por ende ka shumë punë për të bërë për të përmirësuar jetën e qytetarëve në gjithë rajonin", ka shkruar Kos në rrjetin social amerikan X.

Ajo ka bërë thirrje për "të shtuar përpjekjet së bashku dhe për të sjellë ndryshime pozitive që popujt i presin me të drejtë".

Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i lansuar nga Komisioni Evropian, synon forcimin ekonomik, rritjen e investimeve dhe afrim më të madh me tregun e përbashkët të BE-së, si pjesë e procesit të integrimit evropian të rajonit.

Sot në Tiranë u mbajt samiti mbi Planin e Rritjes të BE-së me temë "Rruga jonë drejt BE-së", ku liderët e Ballkanit Perëndimor dhe përfaqësuesit e BE-së diskutuan për planin e rritjes dhe integrimin ekonomik.

Në konferencë për media në fund të samitit së bashku me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, Kos riafirmoi ambiciet për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE, duke theksuar se të gjitha vendet e rajonit duhet të bëhen shtete anëtare të bllokut me të drejta të plota.

Pjesë e samitit, përveç kryeministri Rama dhe komisares Kos, ishin edhe kryeministri në detyrë i Kosovës Albin Kurti, kryeministri i Maqedonisë së Veriut Hristijan Mickoski, kryeministri serb Gjuro Macut, kryeministri malazez, Milojko Spajiq dhe kryetarja e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Krishto.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın