Eurodeputetja italiane anulon vizitën në Izrael për shkak të ligjit të aneksimit të Bregut Perëndimor
Annunziata theksoi se miratimi i fundit i ligjit për aneksimin e Bregut Perëndimor dhe sulmet e vazhdueshme dhe pa dallim ndaj OKB-së “demonstrojnë se parlamenti izraelit nuk është gati të flasë për paqen”
Gjenevë
Eurodeputetja italiane Lucia Annunziata ka bërë të ditur se nuk do t’i bashkohet delegacionit të Parlamentit Evropian në Izrael javën e ardhshme, duke përmendur miratimin e fundit nga parlamenti izraelit të një ligji për aneksimin e Bregut Perëndimor, transmeton Anadolu.
“Kam vendosur të mos marrë pjesë në një mision nga delegacioni i Parlamentit Evropian në Izrael me ftesë të Knessetit, të planifikuar për javën e ardhshme”, tha Annunziata.
Siç raporton ANSA, Annunziata shpjegoi pse e refuzoi ftesën e Knessetit duke theksuar se miratimi i fundit i ligjit për aneksimin e Bregut Perëndimor dhe sulmet e vazhdueshme dhe pa dallim ndaj OKB-së “demonstrojnë se parlamenti izraelit nuk është gati të flasë për paqen”.
Ligjvënësja tha se vendimi i saj u mor “në marrëveshje me Partinë Demokratike në nivel kombëtar”.
Në një lexim të parë të mërkurën, parlamenti izraelit miratoi dy projektligje, një për aneksimin e Bregut Perëndimor të pushtuar dhe një tjetër për aneksimin e vendbanimit Ma’ale Adumim të ndërtuar në tokën palestineze në lindje të Kudsit. Të dy projektligjet kërkojnë tre lexime shtesë përpara se të kthehen në ligj.
Nëse miratohet, aneksimi do t’i jepte fund çdo mundësie të mbetur për zbatimin e zgjidhjes me dy shtete të parashikuar nga rezolutat e OKB-së.
Në një deklaratë të përbashkët, 15 vende, përfshirë Turqinë, së bashku me Ligën Arabe dhe Organizatën e Bashkëpunimit Islamik, dënuan miratimin nga Izraeli të projektligjeve që imponojnë të ashtuquajturin “sovranitet izraelit” mbi Bregun Perëndimor.
Në një opinion historik në muajin korrik, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e shpalli pushtimin e territorit palestinez nga Izraeli të paligjshëm dhe bëri thirrje për evakuimin e të gjitha vendbanimeve në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
