Bota

Eurodeputeti danez, Clausen: Evropa duhet të përdorë kundër SHBA-së mjetet ekonomike si "bazukë"

Clausen, gjatë sesioneve të Asamblesë së Përgjithshme të PE-së në Strasburg, pas diskutimeve për Grenlandën, bëri vlerësime për Anadolu

Selen Valente Rasquinho  | 21.01.2026 - Përdıtësım : 21.01.2026
Eurodeputeti danez, Clausen: Evropa duhet të përdorë kundër SHBA-së mjetet ekonomike si "bazukë"

Bruksel

SELEN VALENTE

Deputeti danez i Parlamentit Evropian (PE), Per Clausen tha se Evropa duhet të përgjigjet me hapa konkretë ndaj kërcënimeve të SHBA-së për Grenlandën dhe tarifat doganore, duke përdorur mjetet e saj ekonomike po aq të fuqishme sa një "bazukë".

Clausen, gjatë sesioneve të Asamblesë së Përgjithshme të PE-së në Strasburg, pas diskutimeve për Grenlandën, bëri vlerësime për Anadolu.

Clausen tha se e konsideron të qartë dhe pozitive deklaratën e Komisionit Evropian që mbron Grenlandën ndaj SHBA-së, por se kjo nuk është e mjaftueshme. Ai shpjegoi se pezullimi i procesit të miratimit të marrëveshjes doganore me SHBA-në nga PE-ja verën e kaluar është veprim i rëndësishëm, por që duhet të mbështetet nga hapa të tjerë.

"Në dorën tonë kemi një lloj bazuke. Ka shumë gjëra të ndryshme që mund të bëjmë (kundër SHBA-së)", tha ai.

Eurodeputeti danez theksoi se shitja e bonove të thesarit amerikan, të cilat sipas burimeve të ndryshme arrijnë në total rreth 8 trilionë dollarë dhe që janë në dorën e vendeve dhe institucioneve financiare evropiane, do t'i shkaktonte Washingtonit dëme serioze ekonomike, duke e quajtur këtë opsion si "bazukë".

"Ne mund t'u japim goditje ekonomive të tyre duke shitur borxhet e SHBA-së (bonot). Mund t'i përjashtojmë nga fusha e energjisë dhe të vendosim që kompanitë amerikane të mos marrin pjesë në tenderët publikë", tha deputeti danez.

"Tregtia e naftës dhe gazit në monedha të tjera përveç dollarit do të ishte gjithashtu një problem i madh për SHBA. Mendoj se kjo është e mundur. Tani duhet të ndërmarrim hapa konkretë", shtoi ai.

Clausen tha se presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të ndikohet jo nga fjalët, por nga veprimet, dhe shtoi: "Prandaj duhet të ndërmarrim hapa shumë konkretë". Ai vuri në dukje se SHBA-ja ka filluar luftë tregtare kundër Evropës. Sipas tij, Evropa ka shumë mundësi, edhe pse jo ushtarake, për të vepruar ekonomikisht.

Ai tha se Evropa mund të ndërmarrë hapa detyrues ndaj SHBA-së duke shtuar: "Ne duhet të thyejmë perceptimin se evropianët flasin shumë dhe nuk bëjnë asgjë në kohë reale", shtoi Clausen.

- Zbulimet ushtarake

Clausen e vlerësoi gjithashtu pozitivisht dërgimin e trupave evropiane në Grenland për qëllime zbulimi. Ai tha se kjo jep mesazhin se SHBA-ja do të paguajë një çmim nëse përpiqet të marrë Grenlandën me forcë dhe tregon se vendet evropiane bien dakord për rëndësinë e sigurisë së Grenlandës.

"Ky ishte një hap i mirë dhe mund ta bëjmë përsëri. Por, kjo vetëm nuk mjafton. Duhet të përgjigjemi edhe ndaj tarifave të Trumpit", tha Clausen.

- Populli i Grenlandës në frikë dhe zemërim

Clausen tregoi se në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk dhe në të gjithë Danimarkën janë mbajtur protesta të mëdha dhe se rreth 25 për qind e banorëve të Nuuk-ut morën pjesë në demonstrata.

Ai tha se populli i Grenlandës ndihet i frikësuar dhe i zemëruar për atë që SHBA-ja mund të bëjë. "Njerëzit thonë se nuk duan të jenë pjesë e SHBA-së. Marrëdhëniet me Danimarkën nuk kanë qenë gjithmonë të mira për shkak të kolonializmit, por nëse alternativa është SHBA-ja, ata nuk e duan këtë", tha ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.