Bota, Shëndetësi

Eswatini, 180 mijë fëmijë përballen me mungesë akute të ushqimit

Rreth 31 për qind e popullsisë së vendit afrikano jugor "vuan nga kriza ushqimore për shkak të humbjes së vendeve të punës të lidhura me COVID-19 dhe çmimet e larta të ushqimit"

Ekip  | 25.03.2021 - Përdıtësım : 25.03.2021
Eswatini, 180 mijë fëmijë përballen me mungesë akute të ushqimit

Ankara

Më shumë se 347 mijë persona në Eswatini, përfshirë 180 mijë fëmijë, aktualisht po përballen me mungesa akute të ushqimit, për shkak të humbjeve të vendeve të punës që lidhen me COVID-19 dhe çmimeve të larta të ushqimit, paralajmëroi organizata "Save the Children", transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke qenë se kanë nevojë urgjente për mbështetje humanitare, mbi 347 mijë persona janë prekur negativisht nga pandemia, ku 60 mijë "përjetojnë nivele urgjence urie, që do të thotë se pa veprime të menjëhershme, ata mund të përballen me uri ose madje edhe me vdekje", tha "Save the Children".

"Situata në Eswatini është përkeqësuar me shpejtësi dhe më në fund ka arritur në pikë kritike. Një e treta e popullsisë së vendit po vdes nga uria dhe si rezultat qindra mijëra fëmijë po vuajnë”, citohet të këtë thënë Dumisani Mnisi, drejtori ekzekutiv i organizatës joqeveritare në Eswatini në një deklaratë.

“Shumë prej tyre kanë parë prindërit e tyre duke humbur punët si rezultat i masave kundër COVID-19. Të tjerët kanë parë të korrat e tyre të prekura nga moti i paqëndrueshëm në vitin 2020. Ky kombinim ka çuar në nevoja siç nuk i kemi parë kurrë më parë”, thuhet në deklaratë.

Eswatini, një vend i vogël i cili ndodhet midis Mozambikut dhe Afrikës së Jugut, ka përjetuar gjatë muajve të fundit një përkeqësim të drastik të disponueshmërisë së ushqimit për shkak të humbjeve të vendeve të punës të lidhur me COVID-19, çmimeve të larta të ushqimit si dhe reshjeve të çrregullta, duke çuar në korrje të dobët në fund të vitit të kaluar, thuhet më tej.

Të paktën 31 për qind e popullsisë së Eswatinit aktualisht "vuan nga kriza ushqimore, një situatë dukshëm më e keqe se vlerësimi i fundit i urisë në vitin 2019, kur 18 për qind e popullsisë po përjetonte uri të rëndë", shpjegoi grupi humanitar.

"Save the Children" u drejtoi thirrje urgjente donatorëve "që të lëshojnë fonde për të mbështetur reagimin emergjent dhe për të shmangur krizën e urisë".

Organizata i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të ndërmarrë veprime për të trajtuar çështjen.

"Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare për mbështetje që të mblidhemi së bashku për t'u përballur me këtë sfidë", tha "Save the Children".



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.