Bota

Escobar: Çfarëdo që kemi bërë në vitet e fundit si SHBA, e kemi bërë në favor të Kosovës

Sipas Escobar, vendimi i BQK-së ua ka vështirësi jetën qytetarëve serbë të Kosovës dhe SHBA-ja është e shqetësuar

Agim Sulaj  | 14.03.2024 - Përdıtësım : 15.03.2024
Escobar: Çfarëdo që kemi bërë në vitet e fundit si SHBA, e kemi bërë në favor të Kosovës Foto: Erkin Keçi/AA

Prishtinë

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për Ballkanin Perëndimor, zëvendësndihmëssekretari Gabriel Escobar, është pritur në takim nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, raporton Anadolu.

Në një deklarim për media pas këtij takimi, Escobar tha se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të martën, sa i përket rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

Sipas Escobar, vendimi i BQK-së ua ka vështirësuar jetën qytetarëve serbë të Kosovës dhe SHBA-ja është e shqetësuar.

“Vendimi i Bankës Qendrore për dinarin ka sjellë probleme për disa qytetarë të këtij vendi. Ne jemi të shqetësuar. Ne do të vazhdojmë të punojmë për këtë çështje, e cila është një çështje emergjente humanitare që duhet të adresohet menjëherë. Dhe shpresojmë që Qeveria është gati të jetë fleksibile në dialog të martën”, tha Escobar.

Escobar tha se po ashtu e ka përgëzuar kryeministrin Kurti rreth vendimit që Qeveria e Kosovës ka marrë për Manastirin e Deçanit.

I pyetur për “qasje të pabalancuar” të SHBA-së në marrëdhëniet Kosvoë-Serbi, Escobar tha se çfarëdo që ka bërë SHBA-ja në vitet e fundit, e ka bërë në favor të Kosovës.

“Çfarëdo që kemi bërë në vitet e fundit, e kemi bërë në favor të Kosovës. Pra, menjëherë pas aplikimit, ne kemi mbështetur anëtarësimin e Kosovës për në Këshillin e Evropës. Ne mbështetëm proceset demokratike tuajat, përfshirë zgjedhjet në veri. Ne qëndruam me ju pas sulmit të 24 shtatorit dhe mundësuam ofrimin e antitankëve Javelin. Pra, më shpjegoni se si kjo situatë është e pabalancuar”, theksoi Escobar.

Escobar tha se do të largohet nga Kosova të premten. Ai ka zhvilluar takim me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani të mërkurën, ndërsa po ashtu është takuar edhe me krerë të partive opozitare, si dhe ka zhvilluar vizitë në Manastirin e Deçanit, pas hapit të Qeverisë për të zbatuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese që 24 hektarët e kërkuar t’i kalojnë manastirit.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın