Erdoğan: Tunizia do të ndihmojë në përpjekjet e stabilitetit në Libi
Duke folur në një konferencë për media me homologun e tij tunizian, Kais Saied, presidenti Erdoğan tha se trazirat në Libi nuk shqetësojnë vetëm këtë vend, por edhe vendet fqinje, kryesisht Tunizinë

Ankara
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, i cili qëndron për vizitë në Tunizi, ka deklaruar se vendi i tij beson se Tunizia do të kontribuojë në përpjekjet për të promovuar stabilitetin në fqinjin e saj lindor, Libinë, raporton Anadolu Agency (AA).
Presidenti i Tunizisë: Marrëveshja Turqi-Libi përcakton kufirin mes dy vendeve
Duke folur në një konferencë për media me homologun e tij tunizian, Kais Saied, presidenti Erdoğan tha se trazirat në Libi nuk shqetësojnë vetëm këtë vend, por edhe vendet fqinje, kryesisht Tunizinë.
“Besoj se Tunizia do të japë kontribute të vlefshme dhe konstruktive në përpjekjet për të arritur stabilitetin në Libi”, tha Erdoğan.
Erdoğan po ashtu bëri të ditur se në takim me homologun e tij u përqendruan mbi bashkëpunimin dhe hapat që mund të ndërmarrin për sigurimin e armëpushimit në Libi. Ai theksoi se gjatë vizitës së tij në Tunizi do të diskutojë hapat për të filluar një proces politik pas një armëpushimi në Libi dhe çështjet si mund të ndihmojë Tunizia.
Më 27 nëntor, Qeveria e Pajtimit Kombëtar (GNA) e Tripolit nënshkruan dy marrëveshje të ndara, njëra për bashkëpunim ushtarak dhe tjetra mbi kufijtë detarë të vendeve në Mesdheun Lindor.
Sipas presidentit Erdoğan, lidhur me këtë marrëveshje “nuk bëhet fjalë që Greqia të ketë këtu ndonjë të drejtë për të folur”.
“Marrëveshjen dhe tekstin e memorandumit të mirëkuptimit e miratuam në Parlament. Pas kësaj vazhdojmë procesin”, u shpreh ai.
Lidhur me dërgimin e trupave turke në Libi, Erdoğan tha se, “Deri më sot ne nuk kemi qenë asnjëherë në rolin e mysafirit të paftuar. Nëse ka ndonjë ftesë do ta shqyrtojmë”.
Që nga rrëzimi i udhëheqësit Muammar Gaddafi, në Libi u shfaqën dy qeveri rivale, njëra në Libinë lindore e mbështetur kryesisht nga Egjipti dhe Emiratet e Bashkuara Arabe dhe GNA-ja në kryeqytetin Tripoli, e cila gëzon njohjen e Kombeve të Bashkuara (OKB) dhe atë ndërkombëtare.