Erdogan takohet me homologun francez: "Të përdoren të gjitha mjetet diplomatike për t'i dhënë fund luftës Rusi-Ukrainë"
Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’i sjellë Rusinë dhe Ukrainën së bashku “për negociata paqësore”, ka thënë Erdogan.
Stamboll
Të gjitha mjetet diplomatike duhet të përdoren për t’i dhënë fund luftës mes Rusisë dhe Ukrainës përmes një paqeje të drejtë dhe të qëndrueshme, tha sot presidenti turk, ndërsa u takua me homologun e tij francez në margjinat e samitit të liderëve të G20-ës, transmeton Anadolu.
Në takimin mes Recep Tayyip Erdoganit dhe Emmanuel Macronit u trajtuan marrëdhëniet dypalëshe si dhe çështjet rajonale e globale, njoftoi Drejtoria e Komunikimeve e Turqisë në platformën turke të mediave sociale NSosyal.
Turqia do të vazhdojë përpjekjet e saj për t’i sjellë Rusinë dhe Ukrainën së bashku “për negociata paqësore”, ka thënë Erdogan.
Duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së armëpushimit në Gaza dhe dërgimit të ndihmave humanitare në rajon, presidenti turk ka thënë se formula për paqe të qëndrueshme qëndron në zgjidhjen me dy shtete dhe se Ankaraja po bën përpjekje në këtë drejtim.
Ai ka shtuar gjithashtu se hapat e përbashkët drejt zhvillimit të marrëdhënieve midis Turqisë dhe Francës janë “të rëndësishëm.”
Erdogan dhe Macron ndodhen në Johanesburg, Afrikë e Jugut, për samitin e liderëve të G20-ës, një ngjarje dyditore që filloi të shtunën dhe fokusohet në trajtimin e disa prej sfidave më urgjente të botës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
