Bota

Erdoğan: Shkëmbimet e të burgosurve vazhdojnë pavarësisht provokimeve izraelite

"Dallimi i madh midis gjendjes së të burgosurve të liruar nga Izraeli dhe pengjeve të liruara nga Hamasi është i mjaftueshëm për të parë ndryshimin në mentalitet”, tha Erdoğan

Seda Sevencan  | 03.02.2025 - Përdıtësım : 04.02.2025
Erdoğan: Shkëmbimet e të burgosurve vazhdojnë pavarësisht provokimeve izraelite Foto: Murat Kula/AA

Istanbul

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka bërë të ditur se pavarësisht provokimeve të vazhdueshme nga Izraeli, shkëmbimi i të burgosurve midis Izraelit dhe grupit palestinez Hamas vazhdon, raporton Anadolu.

Duke folur pas një takimi të kabinetit, presidenti Erdoğan tha se gjatë takimit të tij me një delegacion të Hamasit javën e kaluar, ai përsëriti gatishmërinë e Türkiyes për të bërë “ gjithçka të nevojshme për ta bërë të përhershme marrëveshjen e armëpushimit”.

“Dallimi i madh midis gjendjes së të burgosurve të liruar nga Izraeli dhe pengjeve të liruara nga Hamasi është i mjaftueshëm për të parë ndryshimin në mentalitet”, tha Erdoğan, duke iu referuar gjendjes fizike të njerëzve të shkëmbyer në kuadër të marrëveshjes së shkëmbimit të të burgosurve.

“Ne nuk duhet t’i lëmë vetëm vëllezërit dhe motrat tona në Gaza gjatë kësaj periudhe. E përsëris edhe një herë thirrjen time për të ofruar më shumë mbështetje për populin e shtypur të Gazës para muajit të shenjtë të Ramazanit”, theksoi presidenti turk.

Më tej, presidenti turk foli lidhur me vizitën e muajit të kaluar në Türkiye të presidentit të Ruandës, Paul Kagame, duke theksuar se ajo shënoi vizitën e parë zyrtare në nivel presidencial nga Ruanda në Türkiye.

“Ne e kurorëzuam këtë vizitë me katër marrëveshje të nënshkruara midis Türkiyes dhe Ruandës. Ne jemi të përkushtuar të forcojmë bashkëpunimin tonë me të gjitha vendet afrikane mbi bazën e një qasjeje të favorshme dhe të partneritetit të barabartë. Samiti historic dhe marrëveshja midis Etiopisë dhe Somalisë, organizuar nga vendi ynë më 11 dhjetor, shërben si një pikë referimi kyçe, duke treguar qëndrimin dhe besueshmërinë tonë midis kombeve afrikane. Ne do të vazhdojmë të punojmë me të gjitha forcat tona për paqen, drejtësinë dhe zhvillimin”, tha Erdoğan.

Presidenti turk gjithashtu njoftoi se në fund të muajit të kaluar ai ka diskutuar edhe me kryetarin e Dhomën e Përfaqësuesve të Bosnjë e Hercegovinës, Denis Zvizdiq, lidhur me zhvillimet aktuale në vend dhe në Ballkan.

Erdoğan më tej tha se takimet e tij të muajit të kaluar me ministrat e jashtëm, tregtisë dhe transportit të Azerbajxhanit dhe Uzbekistanit theksuan përkushtimin e Türkiyes për forcimin e bashkëpunimit brenda botës turke.

Rritja e turizmit dhe shqetësimet e sigurisë

Presidenti Erdoğan në fjalën e tij kujtoi gjithashtu se Türkiye priti 62.23 milionë vizitorë vitin e kaluar, me të ardhurat nga turizmi që arritën një rekord prej 61.1 miliardë dollarësh.

Ai gjithashtu theksoi se Türkiye i tejkaloi objektivat e turizmit në vitin 2024.

“Qëllimi ynë për vitin 2025 në turizsëm është të mirëpresim 64 milionë vizitorë dhe të gjenerojmë 64 miliardë dollarë të ardhura. Shpresojmë që së shpejti të arrijmë shifrën prej 100 miliardë dollarësh. Për ta arritur këtë, një ndryshim në mentalitet është thelbësor. Një qasje që nuk i jep vlerën e nevojshme jetës dhe dinjitetit njerëzor nuk ka asnjë mundësi për sukses, veçanërisht në sektorin e turizmit. Që sektori të rritet në mënyrë të qëndrueshme, eliminimi i hallkave të dobëta nuk është një zgjedhje, por një domosdoshmëri. Besoj se profesionistët tanë të turizmit do të marrin mësimet e nevojshme nga incidenti tragjik në Kartalkaya, Bolu, i cili na ka pikëlluar thellësisht të gjithëve”, deklaroi Erdoğan.

Duke iu referuar tërmeteve të fundit në anën greke të Egjeut, Erdoğan tha se lëkundjet e ditëve të fundit kujtojnë edhe një herë se gatishmëria ndaj tërmeteve është një çështje e mbijetesës kombëtare për Türkiyen.

"Ne nuk kemi zgjidhje tjetër veçse t'i bëjmë me shpejtësi qytetet tona, veçanërisht Istanbulin, rezistente ndaj tërmeteve”, tha Erdoğan, duke përsëritur se administratat lokale duhet ta kenë prioritet këtë çështje dhe të fokusohen në përgatitjen e qyteteve të tyre përmes projekteve të transformimit urban.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.