Turqia, Bota

Erdoğan përshëndet armëpushimin midis Iranit dhe Izraelit, apelon për diplomaci dhe reforma në tregtinë e mbrojtjes

Presidenti Erdoğan tha se Ankaraja mbështet përpjekjet e ndërmjetësimit të Trumpit dhe se vazhdon përpjekjet për paqe rajonale dhe lidhje më të forta mbrojtëse me NATO-n

Merve Berker, Esra Tekin  | 25.06.2025 - Përdıtësım : 25.06.2025
Erdoğan përshëndet armëpushimin midis Iranit dhe Izraelit, apelon për diplomaci dhe reforma në tregtinë e mbrojtjes

Ankara/Stamboll

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka deklaruar se vendi i tij përshëndet armëpushimin e saposhpallur midis Iranit dhe Izraelit, duke shtuar se pret që të dyja palët “të përmbushin plotësisht thirrjen e mikut tim Trump pa kushte”, raporton Anadolu.

Në komentet pas samitit të NATO-s në Hagë, presidenti Erdoğan konfirmoi se Turqia ishte përfshirë në përpjekje intensive diplomatike që nga fillimi i armiqësive të fundit ushtarake midis Izraelit dhe Iranit, të cilat siç tha ai, “paraqesin rreziqe serioze për rajonin”.

“Ashtu si të gjitha vendet në rajon, siguria e Izraelit varet nga stabiliteti, paqja dhe prosperiteti i fqinjëve të tij”, tha presidenti Erdoğan, duke theksuar se “sulmet e Izraelit e kanë shndërruar tragjedinë humanitare të Gazës në një katastrofë që asnjë person me ndërgjegje nuk mund ta injorojë”.

Erdoğan përsëriti bindjen e Ankarasë se “zgjidhjet e qëndrueshme me Iranin janë të mundshme vetëm përmes diplomacisë dhe dialogut”. Ai theksoi se “rajoni ynë është plot me shembuj që tregojnë se lufta dhe shkatërrimi nuk çojnë askund”.

Erdoğan tha se Turqia “shpreson që armëpushimi të trasnformohet në qetësi të qëndrueshme”, duke theksuar se “të gjithë duhet të mbajnë përgjegjësi për të arritur paqen në Lindjen e Mesme”.

Presidenti turk gjithashtu i bëri thirrje Izraelit të heq dorë nga qëndrimi i tij aktual ndaj Gazës.

Lidhur me integrimin e industrisë evropiane të mbrojtjes, presidenti turk tha se ka theksuar se pjesëmarrja e aleatëve të NATO-s jo-anëtare të BE-së do t’u “shërbente interesave të të gjithë Evropës”.

Më tej, presidenti turk tha se Ankaraja gjithashtu po zhvillon bisedime të vazhdueshme me Londrën dhe Berlinin mbi programin e avionëve luftarakë ‘Eurofighter’. Ai tha se kjo çështje ka “zhvillime pozitive”.

Ai gjithashtu përshëndeti përparimin e kohëve të fundit në një çështje tjetër kyçe me SHBA-në.

“Diskutuam çështjen e avionëve luftarakë F-35. Bëmë pagesa prej 1.3 deri në 1.4 miliard dollarë për avionët F-35 dhe pamë se zoti Trump kishte qëllime të mira për t’i dorëzuar ato”, shtoi ai.

Lidhur me qëndrimin kolektiv të NATO-s, presidenti Erdoğan njoftoi se Turqia udhëhoqi përpjekjet për të siguruar që “dokumentet e NATO-s kërkojnë heqjen e të gjitha pengesave në tregtinë e mbrojtjes midis aleatëve, pa përjashtim”.

“Ne gjithashtu u siguruam që deklarata të pasqyrojë pikëpamjen tonë se antiterrorizmi mund të ketë sukses vetëm përmes solidaritetit të vërtet midis aleatëve”, tha ai.

Presidenti Erdoğan gjithashtu riafirmoi përpjekjen e vazhdueshme diplomatike të Turqisë për një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme në luftën Rusi Ukrainë.

“Besoj se është hapur një dritare mundësie për një armëpushim dhe paqe të qëndrueshme”, tha ai.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.