Bota

Erdoğan: Nga paqja në Kaukaz do të dalin fitues të gjitha vendet e rajonit dhe bota

Presidenti turk tha se rruga për paqe të qëndrueshme mund të shtrohet përmes bashkëpunimit midis të gjithë popujve dhe shteteve në rajon dhe të zhvillohet bazuar në besimin e ndërsjellë

Burcu Çalık Göçümlü   | 16.06.2021
Erdoğan: Nga paqja në Kaukaz do të dalin fitues të gjitha vendet e rajonit dhe bota ( Halil Sağırkaya - Anadolu Agency )

Ankara

Nga paqja dhe qetësia në Kaukaz do të dalin fitues jo vetëm Azerbajxhani, por edhe Armenia, të gjitha vendet e rajonit dhe bota, tha Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).

“Jo vetëm Azerbajxhani, por edhe të gjitha vendet në rajon, duke përfshirë Armeninë, dhe bota, do të përfitojnë nga paqja dhe qetësia në Kaukaz”, tha Erdoğan në një fjalim në Parlamentin e Azerbajxhanit.

Të gjitha palët duhet të përdorin sa më mirë mundësitë për të parandaluar që “një zinxhir robërie t’i vihet përsëri qafës së Kaukazit”, theksoi ai.

Erdoğan shtoi se rruga për paqe të qëndrueshme mund të shtrohet përmes bashkëpunimit midis të gjithë popujve dhe shteteve në rajon dhe të zhvillohet bazuar në besimin e ndërsjellë.

Duke përsëritur mbështetjen e Turqisë për Azerbajxhanin, ai tha: “Sot ne ndodhemi pranë Azerbajxhanit me të gjitha mundësitë tona. E gjitha bota duhet ta dijë se do t‘i qëndrojmë pranë edhe nesër”.

Duke nënvizuar se fitorja e Azerbajxhanit në Malësinë e Karabakut vjeshtën e kaluar, kur pjesa më e madhe e rajonit kufitar u çlirua nga pushtimi armen, i shërbeu kauzës së drejtësisë dhe jo shtypjes, Erdoğan tha se kjo fitore prishi gjithashtu planet e “atyre që e shohin botën si arenë të ambicieve të tyre politike dhe ekonomike”.

- Qyteti i çliruar Shusha

Turqia është e kënaqur të shohë qytetin Shusha si kryeqytetin kulturor të Azerbajxhanit këtë vit, si kryeqytetin kulturor të botës turke vitin e ardhshëm, shtoi presidenti turk.

Në lidhje me Projektin e Korridorit të Zangezurit të Azerbajxhanit, Erdoğan tha se projekti do të sjellë lehtësim dhe pasuri në rajon.

“Armenët gjithashtu do të jenë në gjendje të arrijnë në Moskë dhe botë lehtë përmes hekurudhës në korridorin e Zangezurit, duke shmangur kështu bllokadën që ata ia imponuan vetes”, shtoi ai.

Zangezuri ishte pjesë e Azerbajxhanit, por në vitet 1920, sovjetikët ia dhanë rajonin Armenisë. Pas këtij hapi, Azerbajxhani humbi lidhjen me eksklavën e tij të Nakçivanit.

Të martën, presidenti turk arriti në Azerbajxhan për një vizitë zyrtare.

Marrëdhëniet midis Armenisë dhe Azerbajxhanit kanë qenë të tensionuara që nga viti 1991, kur ushtria armene pushtoi Malësinë e Karabakut, i njohur si Nagorno-Karabakh, një territor i njohur ndërkombëtarisht si pjesë e Azerbajxhanit, dhe shtatë rajone fqinje.

Vitin e kaluar, konflikti u përshkallëzua përsëri dhe zgjati gjashtë javë, duke përfunduar me një armëpushim të ndërmjetësuar nga Rusia.

Gjatë asaj kohe, Azerbajxhani çliroi disa qytete strategjike dhe gati 300 vendbanime dhe fshatra të tij nga pushtimi armen. Më 10 nëntor, të dy vendet nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Rusia për t’i dhënë fund luftimeve dhe për të punuar drejt një rezolute gjithëpërfshirëse.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın