
Ankara
Türkiye njoftoi vendimet e marra nga mbledhja vjetore e Këshillit të Lartë Ushtarak të mbajtur sot, e cila u kryesua nga presidenti Recep Tayyip Erdoğan, raporton Anadolu Agency (AA).
Pas takimit me dyer të mbyllura në kryeqytetin Ankara, zëdhënësi presidencial, Ibrahim Kalın, u tha gazetarëve se mandati i shefit të shtabit të përgjithshëm, gjeneral Yaşar Güler u zgjat edhe për një vit tjetër me miratimin e presidentit Erdoğan.
Ai shtoi se komandanti i Forcave Detare Adnan Özbal dhe komandanti i Forcave Ajrore Gjeneral Hasan Küçükakyüz do të dalin në pension dhe adm. Ercüment Tatlıoğlu u emërua në Komandën e Forcave Detare dhe Komandanti i Forcave Ajrore gjeneral Atilla Gülan në Komandën e Forcave Ajrore.
Kalın tha se nga 30 gushti 16 gjeneralë dhe admiralë do promovohen në gradat e radhës dhe 47 kolonelë në gjeneralë ose admiralë.
Që nga ajo datë, ai tha se numri i gjeneralëve dhe admiralëve në Forcat e Armatosura Turke do të rritet nga 264 në 273.
Para mbledhjes, anëtarët e këshillit vizituan Anitkabir, mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës Turke.
Erdoğan shkroi në librin përkujtimor të mauzoleut se Türkiye vazhdon të ngrihet si një ikonë e stabilitetit dhe besimit në rajonin e saj në një kohë kritike, duke shtuar: "Arritjet e jashtëzakonshme në fronte të ndryshme, nga kundër-terrorizmi deri te operacionet ndërkufitare, tregojnë qartë forcën, efektivitetin dhe aftësitë e Forcave të Armatosura Turke".
Takimi, i cili përcakton agjendën për ushtrinë turke dhe zakonisht merret me promovimet, shkarkimet dhe vendimet e tjera të personelit, zgjati një orë.
Ndër zyrtarët e lartë që marrin pjesë në mbledhjen e këshillit me dyer të mbyllura janë zv/presidenti Fuat Oktay; Ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar; Ministri i Drejtësisë, Bekir Bozdağ; ministri i Brendshëm, Süleyman Soylu; ministri i Thesarit dhe Financave, Nureddin Nebati; ministri i Arsimit, Mahmut Özer; Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneral. Yaşar Güler; komandanti i Forcave Tokësore, Musa Avsever; Komandanti i Forcave Detare, Adnan Özbal dhe Komandanti i Forcave Ajrore Hasan Küçükakyüz.