Erdoğan kërkon lidhje më të forta me SCO-në, e quan atë "traditë për gjetjen e zgjidhjeve të përbashkëta"
Presidenti Erdoğan tha se shpreson të forcojë bashkëpunimin me SCO-në, duke e quajtur atë platformë "që përfaqëson traditën e gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për problemet"

Stamboll
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha të hënën se shpreson të forcojë bashkëpunimin me Organizatën e Bashkëpunimit të Shangait (SCO), duke e quajtur atë platformë "që përfaqëson traditën e gjetjes së zgjidhjeve të përbashkëta për problemet", raporton Anadolu.
Duke folur në Samitin e 25-të të Këshillit të Kryetarëve të Shteteve të SCO-së në Tianjin të Kinës, Erdoğan e cilësoi organizatën si "jetike" për rritjen e sigurisë energjetike dhe nxitjen e partneriteteve strategjike të infrastrukturës.
Ai përshëndeti hapat e fundit drejt paqes dhe stabilitetit të qëndrueshëm në Kaukazin Jugor dhe Azinë Qendrore.
Takimi dy-ditor i SCO-së, i cili filloi të dielën, shënoi samitin e pestë vjetor të organizuar nga Kina që nga themelimi i forumit në vitin 2001.
Më parë, Erdoğan u takua me homologun e tij rus Vladimir Putin në margjinat e samitit.
- "Përgjegjësia jonë kolektive" për t'i dhënë fund shtypjes kundër palestinezëve
Duke folur mbi konfliktet globale, Erdoğan kritikoi dhunën e vazhdueshme në Gaza. "Nuk ka asnjë shpjegim për dështimin në ndalimin e mizorisë 23-mujore në Gaza, ku foshnje, fëmijë dhe të moshuar po vdesin nga uria", tha ai.
Presidenti turk i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të përdorë Kombet e Bashkuara (OKB) si platformë për drejtësi globale, duke e përshkruar atë si "përgjegjësinë tonë kolektive" për t'iu përgjigjur shtypjes me të cilën populli palestinez është përballur për vite me radhë.
Izraeli ka vrarë mbi 63.500 palestinezë në Rripin e Gazës që nga tetori 2023. Fushata ushtarake ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me urinë.
Lidhur me Sirinë, Erdoğan theksoi mbështetjen e vazhdueshme për rimëkëmbjen e vendit duke ruajtur integritetin territorial dhe unitetin politik, duke thënë se përpjekje të tilla i sjellin dobi të gjithë rajonit.
Ai përsëriti se Turqia do të kundërshtojë çdo përpjekje që kërcënon sigurinë ose sovranitetin e Sirisë.
Erdoğan përfundoi duke përshkruar vizionin më të gjerë të politikës së jashtme të Turqisë, duke theksuar rëndësinë e dialogut, diplomacisë dhe bashkëpunimit bazuar në respektin për sovranitetin dhe integritetin territorial të të gjitha vendeve.
Ai theksoi rëndësinë e zhvillimeve në fushën e energjisë dhe ndërlidhjes për stabilitetin global, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e qëndrueshme.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.