Erdogan: Fitorja e Karabakut do të çojë në paqe të qëndrueshme me qasjet konstruktive të liderëve
Në fjalimin e tij gjatë një ceremonie në Baku për të shënuar përvjetorin e Ditës së Fitores së Azerbajxhanit, presidenti Erdogan e sheh fitoren e Bakut jo si një fund, por si një moment historik në rrugën drejt paqes së qëndrueshme në Kaukaz
Stamboll
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka deklaruar se fitorja e Karabakut do të çojë në paqe të qëndrueshme me qasjen konstruktive të liderëve të Azerbajxhanit dhe Armenisë, si dhe ka theksuar se Turqia do të bëjë atë që është e nevojshme, raporton Anadolu.
Në fjalimin e tij gjatë një ceremonie në Baku për të shënuar përvjetorin e pestë të Ditës së Fitores së Azerbajxhanit, presidenti Erdogan e sheh fitoren e Bakut jo si një fund, por si një moment historik në rrugën drejt paqes së qëndrueshme në Kaukaz.
Erdogan tha se fitorja e Azerbajxhanit në Karabak i dha fund një “padrejtësie të madhe” dhe hapi një epokë të re në rajon, duke ndryshuar ekuilibrat gjeopolitike në të gjithë Azinë dhe Evropën.
Presidenti turk tha se çdo hap i ndërmarrë nga ushtria e Azerbajxhanit në Karabak për pavarësi është “shkruar me shkronja të arta” në historinë e botës turkike.
Sot, presidenti Erdogan mbërriti në Azerbajxhan për të marrë pjesë në një ceremoni në Baku që shënoi përvjetorin e pestë të Ditës së Fitores së Azerbajxhanit.
Pjesa më e madhe e rajonit të Karabakut, që ka qenë nën pushtimin armen për gati tre dekada, në vjeshtën e vitit 2020 u çlirua nga Azerbajxhani gjatë një lufte 44-ditore, e cila përfundoi pas një marrëveshje të paqes të ndërmjetësuar nga Rusia. Marrëveshja gjithashtu hapi derën për normalizimin e marrëdhënieve me Jerevanin.
Më 8 nëntor, ushtria azerbajxhanase çliroi qytetin Shusha dhe më vonë u shpall Dita e Fitores me një dekret presidencial.
Fillimisht, Dita e Fitores do të festohej më 10 nëntor, ditën e përfundimit të Luftës së Dytë të Karabakut, por kjo u ndryshua më vonë për shkak se përkoi me përvjetorin e vdekjes së Mustafa Kemal Ataturkut, themeluesit të Republikës së Turqisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
