Emiratet e Bashkuara Arabe paraqesën kërkesë zyrtare për hapjen e ambasadës në Izrael
Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Gabi Ashkenazi, priti në takim një delegacion të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili sot mbërriti në Tel Aviv në vizitën e parë të nivelit të lartë nga shteti i Gjitit në Izrael

Ankara
Emiratet e Bashkuara Arabe kanë paraqitur kërkesë zyrtare për hapjen e ambasadës në Izrael në kuadër të marrëveshjes së diskutueshme të normalizimit midis dy vendeve, transmeton Anadolu Agency (AA).
Ministri izraelit i Punëve të Jashtme, Gabi Ashkenazi, priti në takim një delegacion të Emirateve të Bashkuara Arabe, i cili sot mbërriti në Tel Aviv në vizitën e parë të nivelit të lartë nga shteti i Gjirit në Izrael.
Omar Saif Ghobash, këshilltar i ministrit të jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, paraqiti një letër nga kryediplomati Abdullah bin Zayed Al-Nahyan për kryediplomatin izraelit për hapjen e një ambasade në Izrael.
Në letrën e tij, Al-Nahyan falënderoi homologun e tij izraelit për mbështetjen në zhvillimin e marrëdhënieve midis dy vendeve dhe shprehu shpresë se edhe Izraeli së shpejti do të hapë ambasadën në Abu Dhabi.
Më 15 shtator, pas nënshkrimit të marrëveshjeve të diskutueshme në Shtëpinë e Bardhë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahreini ranë dakord për krijimin e marrëdhënieve të plota diplomatike, kulturore dhe tregtare me Izraelin.
Marrëveshjet janë kundërshtuar gjerësisht nga palestinezët, të cilët thonë se ato injorojnë të drejtat e tyre dhe nuk i shërbejnë çështjes palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.