Bota

Ekspertët: Rënia globale e fertilitetit ngre alarmin

Ekspertët e Forumit Ndërkombëtar të Familjes në Stamboll kanë paralajmëruar për një krizë demografike në rritje pasi nivelet globale të fertilitetit vazhdojnë të shënojnë ulje, duke kërcënuar stabilitetin ekonomik dhe sistemet sociale në mbarë botën

Fatma Nur Duman Arı, Başak Akbulut Yazar, Nuri Aydın  | 23.05.2025 - Përdıtësım : 23.05.2025
Ekspertët: Rënia globale e fertilitetit ngre alarmin

Stamboll

Ekspertët e Forumit Ndërkombëtar të Familjes në Stamboll kanë paralajmëruar për një krizë demografike në rritje pasi nivelet globale të fertilitetit vazhdojnë të shënojnë ulje, duke kërcënuar stabilitetin ekonomik dhe sistemet sociale në mbarë botën, raporton Anadolu.

I mbajtur nën temën “Mbrotja dhe forcimi i familjes përballë sfidave globale”, paneli i titulluar “Miti i mbipopullimit: Si kontribuoi një agjendë globale në rënien e popullsisë?” u organizua nga Ministria e Familjes dhe Shërbimeve Sociale të Turqisë, me Anadolu-n si partner global të komunikimit.

Zv/ministri i Punës dhe Sigurimeve Shoqërore, Lutfihak Alpkan, i cili moderoi panelin, tha se shkalla e fertilitetit të Turqisë ka rënë nga 7 në vitet 1970 në nën 1.5 në ditët e sodit.

“Organizatat ndërkombëtare prej kohësh kanë mbështetur përpjekjet për të reduktuar rritjen e popullsisë. Por kur popullsia e një vendi fillon të tkurret, të njëjtat organizata janë shumë më pak mbështetëse”, tha Alpkan.

Serdar Furtuna nga Universiteti Acıbadem Mehmet Ali Aydınlar, në fjalën e tij në panel, zbuloi përpjekjet për kontrollin e popullsisë në fondacionet amerikane në vitet 1940.

Ai theksoi se një studim i vitit 1963 në Turqi tregoi një hendek të madh midis lindjeve aktuale dhe të atyre të dëshiruara.

“Metodat moderne mezi u miratuan, por popullsia deri tani u zvogëlua, jo për shkak të presionit të jashtëm, por ndryshimit të prioriteteve dhe nevojave individuale”, theksoi Furtuna.

Ministrja e Malajzisë për Gratë dhe Familjen, Dato’ Sri Hajah Nancy Shukri, nga ana e saj, tha se popullsia e vendit të saj do të arrijë kulmin deri në vitin 2071 para se të fillojë të shënojë ulje.

“Kjo nuk ka të bëjë vetëm me numrat, do të thotë një fuqi punëtore në tkurrje, popullsi në plakje dhe presion në rritje mbi sistemet sociale”, tha ajo.

Në rajonin e Gjirit Persik, rënia gjithashtu është dramatike.

Sharifa Noaman Al-Emadi nga Instituti Ndërkombëtar i Familjes në Doha tha se në vende si Katari, ku qytetarët “përbëjnë më pak se 20 për qind të popullsisë, kjo rënie është veçanërisht kritike".

Tunde Furesz e Hungarisë e përshkroi Evropën si "kontinentin e djepave bosh", duke përmendur fertilitetin rekord të ulët dhe një tendencë përkeqësimi që nga pandemia COVID-19.

“Kushtetuta jonë thotë ‘nëna është grua, babai është burrë’. Kjo pasqyron vendosmërinë tonë për të mbrojtur strukturën tonë familjare”, shtoi ajo.

Leow Siu Lin, drejtoreshë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Ministrinë e Zhvillimit Social dhe Familjar të Singaporit, theksoi se vetëm rritja e nivelit të lindjeve nuk është e mjaftueshme për të siguruar qëndrueshmërinë e popullsisë. Ajo theksoi nevojën për një qasje shumëdimensionale të fokusuar në forcimin e familjeve.

Leow tha se çështja nuk është vetëm ekonomike, por edhe e rrënjosur thellë në faktorët social dhe kulturor.

"Në Singapor, familjet janë gurthemeli i shoqërisë. Kjo është arsyeja pse ne kemi riformuar politikat dhe programet tona me një perspektivë të përqendruar te familja", tha ajo.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.