Ekspertët paralajmërojnë se kërcënimet e Trumpit ndaj Grenlandës duhet të merren seriozisht
Sipas ekspertëve, kërcënimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj rajonit autonom të Grenlandës, që ndodhet nën Mbretërinë e Danimarkës, duhet të merren seriozisht pas ndërhyrjes ushtarake ndaj Venezuelës
Bruksel
ŞERİFE ÇETİN
Ekspertët kanë theksuar se kërcënimet e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, ndaj rajonit autonom të Grenlandës, që ndodhet nën Mbretërinë e Danimarkës, duhet të merren seriozisht pas ndërhyrjes ushtarake ndaj Venezuelës.
Dr. Mark Kersten nga Universiteti Fraser Valley në Kanada, studiuesi i lartë Rasmus Sinding Sondergaard nga Instituti Danez për Studime Ndërkombëtare (DIIS) dhe zëvendëspresidenti i Institutit Quincy, Trita Parsi, dhanë vlerësime për Agjencinë Anadolu lidhur me rikthimin në agjendë të interesit të Trumpit për Grenlandën.
Duke iu përgjigjur pyetjes nëse një sulm i mundshëm i SHBA-së ndaj Grenlandës përbën rrezik real, Kersten tha: "Po, ekziston një rrezik real dhe shtetet duhet ta trajtojnë atë si një rrezik real dhe urgjent".
Kersten theksoi se sulmet e paligjshme ndaj Venezuelës, shfaqja e admirimit të hapur për presidentin rus Vladimir Putin ndërsa përpiqet të aneksojë Ukrainën, mbështetja ndaj kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu në një proces ku Izraeli ka aneksuar de fakto disa pjesë të Bregut Perëndimor, si dhe kërcënimet për aneksimin e Grenlandës madje edhe të Kanadasë, nuk duhet të shihen si ngjarje të shkëputura nga njëra-tjetra.
"Kur dikush ju tregon se kush është, besojeni. Ajo që Trump po i thotë botës është se administrata e tij është në luftë me rregullat themelore të së drejtës ndërkombëtare. Mosmarrja seriozisht e kësaj si rrezik real dhe mungesa e një qëndrimi të hapur dhe kolektiv në favor të së drejtës ndërkombëtare nuk është vetëm mungesë shtylle kurrizore, por edhe e rrezikshme", tha Kersten.
Kersten shtoi se presidenti amerikan e sheh "çdo lloj dobësie si një ftesë për të shkaktuar më shumë vuajtje dhe për të grabitur më shumë".
- "Kur bëhet fjalë për Trumpin, asnjë mundësi nuk përjashtohet"
Studiuesi i lartë i DIIS-it, Sondergaard, tha: "Qëndrimi dominues në Kopenhagë është se një sulm ushtarak i SHBA-së ndaj Grenlandës mbetet ende një skenar me probabilitet të ulët. Por kur bëhet fjalë për Trumpin, asnjë mundësi nuk mund të përjashtohet plotësisht, gjë që është jashtëzakonisht shqetësuese".
Duke kujtuar se Bashkimi Evropian (BE) ka bërë thirrje për respektimin e së drejtës ndërkombëtare lidhur me Venezuelën dhe ka nxitur një tranzicion paqësor drejt demokracisë, Sondergaard theksoi se kjo përbën reagimin minimal të pritur.
Ai shtoi se ky qëndrim pasqyron mospajtimet e brendshme mes vendeve evropiane, duke thënë: "Sepse këto vende janë të ndara për mënyrën se si duhet reaguar ndaj përdorimit të forcës nga SHBA-ja pa një bazë juridike ndërkombëtare".
- "Evropa do të korrë atë që ka mbjellë"
Zëvendëspresidenti i Institutit Quincy, Trita Parsi, kritikoi reagimin e Evropës duke thënë: "Shumica dërrmuese e Evropës e ka braktisur të drejtën ndërkombëtare. Këtë e kishin bërë tashmë për Gazën. Por tani, me përjashtime të pakta, duke dështuar të dënojnë plotësisht edhe një veprim që përbën shkelje të qartë të së drejtës ndërkombëtare, ata e kanë mbyllur rrethin".
Parsi theksoi se kjo situatë do t'i shkaktojë probleme Evropës, duke shtuar: "Trump ka gjasa të synojë aneksimin e Grenlandës dhe kur kjo të ndodhë, shumë vende të Jugut Global do t'i përgjigjen Evropës në të njëjtën mënyrë. Do të bëjnë deklarata duke thënë se 'po e ndjekin situatën', por se 'nuk është koha për të diskutuar ligjshmërinë e veprimit'. Evropa do të korrë atë që ka mbjellë".
- Trump e ka shprehur disa herë interesin për Grenlandën
Presidenti amerikan Trump, pasi u zgjodh dhe mori detyrën, e ka përsëritur disa herë pretendimin se Grenlanda duhet të jetë nën kontrollin e vendit të tij, duke argumentuar se zotërimi dhe kontrolli i ishullit është një "domosdoshmëri absolute".
Trump ka pohuar se posedimi i Grenlandës nga SHBA-ja është i nevojshëm për "mbrojtjen e botës së lirë", deklarata këto që kanë shkaktuar reagime të shumta, veçanërisht nga autoritetet e Grenlandës.
Në deklaratën e tij më të fundit, Trump pretendoi se Grenlanda është "shumë strategjike" dhe se aktualisht është e rrethuar nga anije ruse dhe kineze.
Në përgjigje, kryeministrja daneze Mette Frederiksen tha: "Fakti që presidenti amerikan Trump ka shprehur vazhdimisht dëshirën për Grenlandën duhet marrë seriozisht. Por dua ta theksoj qartë se nëse SHBA-ja vendos të sulmojë ushtarakisht një vend tjetër anëtar të NATO-s, gjithçka ndalet. Kjo përfshin edhe sigurinë e garantuar që nga përfundimi i Luftës së Dytë Botërore".
Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, tha se dëshirojnë të vazhdojnë dialogun me SHBA-në përmes "kanaleve të duhura".
Grenlanda, një nga dy rajonet autonome nën Mbretërinë e Danimarkës së bashku me Ishujt Faroe, ndodhet rreth 2.900 kilometra larg Danimarkës.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
