Bota

Ekspertët e OKB-së thirrje të gjitha shteteve ta ndalojnë “luftën e pafundme të Izraelit kundër njerëzimit” në Gaza

“Uria është përdorur si një armë e egër lufte dhe përbën krim sipas të drejtës ndërkombëtare”, paralajmëruan ekspertët

Necva Taştan Sevinç  | 07.08.2025 - Përdıtësım : 07.08.2025
Ekspertët e OKB-së thirrje të gjitha shteteve ta ndalojnë “luftën e pafundme të Izraelit kundër njerëzimit” në Gaza

Istanbul

Ekspertët e Kombeve të Bashkuara (OKB) u bënë thirrje të gjitha shteteve që të ndërmarrin veprime urgjente për të ndalur “luftën e pafundme të Izraelit kundër njerëzimit” në Gaza, duke paralajmëruar se kolapsi i sistemit humanitar të udhëhequr nga OKB-ja po përkeqëson urinë dhe vuajtjet masive njerëzore, transmeton Anadolu.

“Për të shmangur vdekjet dhe vuajtjet çnjerëzore përmes urisë, Izraeli duhet menjëherë të rikthejë qasjen e pakufizuar në Gaza për organizatat humanitare të paanshme”, thanë ekspertët në një deklaratë, duke përmendur si aktorë kyç Agjencinë e OKB-së për Ndihmë dhe Punë (UNRWA) dhe Zyrën për Koordinimin e Çështjeve Humanitare (OCHA).

Ekspertët theksuan se më shumë se 500.000 njerëz, një e katërta e popullsisë së Gazës, përballen aktualisht me uri ekstreme, ndërsa pjesa tjetër përballet me nivele emergjente të urisë.

Të gjithë 320.000 fëmijët nën moshën pesë vjeç janë në rrezik të kequshqyerjes akute, me pasoja të mundshme të përhershme për shëndetin fizik dhe mendor, thuhet në deklaratë.

“Uria është përdorur si një armë e egër lufte dhe përbën krim sipas të drejtës ndërkombëtare”, paralajmëruan ekspertët, duke përmendur zëvendësimin nga ushtria izraelite të mekanizmave të ndihmës të OKB-së me Fondacionin privat Humanitar të Gazës (GHF).

Sipas deklaratës, kjo qasje ka shkaktuar mungesa të rënda ushqimi dhe vdekjen e gati 1.400 personave që përpiqeshin të siguronin ushqim.

Ekspertët dënuan gjithashtu akuzat e Izraelit ndaj UNRWA-së për përfshirje në terrorizëm, gjë që çoi në pezullimin e fondeve nga 16 shtete donatore.

“Pas dy rishikimeve të pavarura dhe dështimit të Izraelit për të vërtetuar akuzat e tij, të gjitha shtetet donatore – përveç Shteteve të Bashkuara – rifilluan financimin”, thuhet në deklaratë.

Ekspertët shprehën shqetësim se autoritetet izraelite kanë zgjeruar fushatën e njollosjes edhe ndaj OCHA-s dhe kanë vendosur kufizime për vizat e stafit ndërkombëtar humanitar.

Ata dënuan gjithashtu pengesat që Izraeli po vendos për raportimin mbi të drejtat e njeriut, përfshirë bllokimin e hyrjes për stafin e OKB-së dhe shënjestrimin e gazetarëve lokalë me pandëshkueshmëri të plotë.

“Shtetet duhet të bëjnë gjithçka që munden për të rivendosur sistemin humanitar të OKB-së në Gaza”, porositën ekspertët.

“Ato duhet të sigurojnë një armëpushim të menjëhershëm, lirimin e të gjithë pengjeve dhe përgjegjësi për shkeljet e së drejtës ndërkombëtare”, theksohet më tej.

Në përfundim, ekspertët theksuan: “Shtetet duhet të sigurojnë përfundimin e pushtimit të paligjshëm, siç kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, dhe realizimin e plotë të vetëvendosjes së popullit palestinez në një shtet të pavarur dhe të sigurt të Palestinës”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın