Bota

Ekspertët e OKB-së e quajnë "të paligjshme" bllokadën detare të SHBA-së ndaj Venezuelës

Ekspertët paralajmërojnë se bllokada përbën agresion të armatosur sipas Kartës së OKB-së dhe kërcënon të drejtat e njeriut dhe stabilitetin rajonal

Beyza Binnur Dönmez  | 24.12.2025 - Përdıtësım : 24.12.2025
Ekspertët e OKB-së e quajnë "të paligjshme" bllokadën detare të SHBA-së ndaj Venezuelës

Gjenevë

Një grup ekspertësh të OKB-së dënuan sot bllokadën e pjesshme detare të vendosur nga SHBA-ja ndaj Venezuelës, duke thënë se ajo shkel rregullat themelore të së drejtës ndërkombëtare, transmeton Anadolu.

Në dhjetor, SHBA-ja njoftoi një “bllokadë të të gjithë cisternave të naftës së sanksionuara që hyjnë dhe dalin nga Venezuela” dhe dislokoi një forcë të madhe ushtarake në Karaibe.

“Nuk ka të drejtë për zbatimin e sanksioneve njëanëshe përmes një bllokade të armatosur”, thanë ekspertët në një deklaratë.

Ata theksuan se bllokada në fjalë është një përdorim i ndaluar i forcës ushtarake sipas nenit 2(4) të Kartës së OKB-së, duke shtuar: “Është një përdorim aq serioz i forcës, sa që njihet shprehimisht si agresion i paligjshëm i armatosur sipas Përkufizimit të Agresionit të Asamblesë së Përgjithshme të vitit 1974”.

“Si e tillë, ajo përbën një sulm të armatosur sipas nenit 51 të Kartës – duke i dhënë në parim shtetit viktimë të drejtën e vetëmbrojtjes”, thanë ata.

Ekspertët paralajmëruan se “përdorimi i paligjshëm i forcës dhe kërcënimet për përdorim të mëtejshëm të forcës në det dhe në tokë, rrezikojnë rëndë të drejtën për jetën dhe të drejta të tjera në Venezuelë dhe në rajon”.

Ata ngritën gjithashtu shqetësime për sanksionet, duke thënë: “Ka shqetësime serioze se sanksionet janë të paligjshme, joproporcionale dhe ndëshkuese sipas së drejtës ndërkombëtare, dhe se ato kanë minuar seriozisht të drejtat e njeriut të popullit venezuelas dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm”.

Sa u përket sulmeve të SHBA-së ndaj anijeve civile, ekspertët thanë: “Këto vrasje përbëjnë shkelje të së drejtës për jetën. Ato duhet të hetohen dhe fajtorët të mbahen përgjegjës. Ndërkohë, Kongresi i SHBA-së duhet të ndërhyjë për të parandaluar sulme të mëtejshme dhe për të hequr bllokadën”.

Ekspertët iu referuan 28 sulmeve të SHBA-së ndaj anijeve civile që nga fillimi i shtatorit 2025, që çuan, sipas tyre, në “vrasje arbitrare” të të paktën 104 personave, për të cilët SHBA-ja ka thënë se ishin të përfshirë në trafikimin e drogës drejt SHBA-së përmes detit.

Duke bërë thirrje për veprim ndërkombëtar, ata përfunduan: “Veprimi kolektiv nga shtetet është thelbësor për të mbrojtur të drejtën ndërkombëtare”.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın