Ekspertët: Vendimi i Izraelit për të pushtuar Gazën është shkelje e ligjit ndërkombëtar
"Kjo është shkelje e qartë e të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të territoreve palestineze", tha profesoresha universitare Heidi Matthews

Hagë
SELMAN AKSÜNGER
Lidhur me vendimin e Izraelit për të zgjeruar "operacionet ushtarake" në Gaza dhe për të pushtuar qytetin, ekspertët thonë se kjo shkel ligjin ndërkombëtar humanitar dhe të drejtën e popullit palestinez për vetëvendosje.
Dr. Heidi Matthews, profesoreshë në Fakultetin e Drejtësisë Osgoode Hall në Universitetin York dhe Martin Shaw, profesori në pension për marrëdhëniet ndërkombëtare dhe politikës në Universitetin e Sussex në Britani, bënë një vlerësim për Anadolu dhe deklaruan se vendimi i Izraelit duhet të ndalet përmes presionit diplomatik nga shtetet e treta.
"Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) e ka bërë shumë të qartë se pushtimi i territoreve palestineze është i paligjshëm dhe duhet të përfundojë sa më shpejt të jetë e mundur", tha Matthews.
Ajo rikujton se Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (AP-OKB), në një rezolutë që sqaron këtë pikëpamje dhe përshkruan detyrimet e shteteve të treta, vendosi një afat deri në shtator 2025 për t'i dhënë fund pushtimit. Matthews tha se vendimi i Izraelit për të pushtuar përgjithmonë një pjesë ose të gjithë Gazën gjithashtu shkel ndalimin e përvetësimit të territorit duke përdorur forcë.
Matthews deklaroi se "Shteteve nuk u lejohet të zgjerojnë territorin e tyre me forcë. Kjo është një normë e prerë e ligjit ndërkombëtar. Është një nga normat themelore më të rëndësishme të rendit ndërkombëtar pas Luftës së Dytë Botërore".
Edhe kur vendimi i Izraelit shqyrtohet në termat e tij (edhe nëse argumentohet se këto plane nuk janë aneksim, por për të mposhtur Hamasin dhe dorëzimin më pas të tokave tek një koalicion shtetesh arabe miqësore).
"Kjo është shkelje e qartë e të drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje, integritetit territorial dhe pavarësisë politike të territoreve palestineze", tha Matthews dhe paralajmëroi se parimi i përgjegjësisë për të mbrojtur duhet të përdoret me kujdes për të parandaluar sulmet ndaj civilëve në Gaza.
Matthews tha se shkaku rrënjësor i problemit në sulmet ndaj palestinezëve është politik, jo humanitar. "Dhuna në rrënjë të problemit është shkelja e së drejtës së popullit palestinez për vetëvendosje politike, e së drejtës së tyre për të zgjedhur lirisht të ardhmen e tyre politike dhe e së drejtës së tyre për të mos iu nënshtruar një forme tjetër të pushtimit të jashtëm", shtoi ajo.
- Hapa të pamjaftueshëm të shteteve perëndimore
Matthews tha se shtetet perëndimore nuk kanë ndërmarrë hapa të mjaftueshëm drejt një zgjidhjeje paqësore dhe se duhet të ndërmerren hapa, përfshirë njohjen pa kushte të një shteti palestinez të lirë dhe të pavarur, sigurimin e aksesit humanitar, sanksione të ashpra diplomatike kundër Izraelit, sanksione personale kundër të gjithë kabinetit, përfshirë kryeministrin izraelit dhe një rishikim të të gjitha marrëdhënieve tregtare.
"Shtetet e treta jo vetëm që duhet të marrin masa kundër Izraelit, por edhe të rishikojnë politikat e tyre të mbështetjes për Palestinën. Duhet të tërhiqen hapat alarmues si censura e fjalës dhe veprimeve ligjore në mbështetje të të drejtave të palestinezëve dhe renditja e organizatave dhe grupeve aktiviste që punojnë për të drejtat e palestinezëve si organizata terroriste", nënvizoi Matthews.
"Nuk jam ende e bindur për idenë e zbatimit të zgjidhjeve ushtarake për problemet thelbësisht politike", tha Matthews duke shtuar se shtetet duhet të përqendrojnë burimet e tyre në zgjidhje diplomatike dhe paqësore në vend të industrisë ushtarake.
- "Operacionet do të përkeqësojnë krimet e vazhdueshme"
Profesori Emeritus Shaw nga Universiteti Sussex tha se Izraeli tashmë po kryen pushtim të paligjshëm të Palestinës, duke kryer krime të gjera lufte dhe duke kryer gjenocid në Gaza. Ai tha se "Operacionet e reja të njoftuara padyshim do të shkaktojnë shkelje të mëtejshme dhe do të përkeqësojnë krimet që vazhdojnë".
Duke mbrojtur idenë se strategjia e Izraelit është e barabartë me spastrimin etnik, Shaw tha: "Largimi me forcë i palestinezëve nga qyteti i Gazës duket se synon dëbimin e plotë të tyre nga Gaza në afat të mesëm". Lidhur me "përgjegjësinë e mbrojtjes", Shaw tha se "Ndërhyrja ndërkombëtare për të ndaluar krimet e Izraelit është sigurisht e mundur, por nuk është e lehtë të shihet se kush do ta bëjë këtë".
Më tej ai thekson se shtetet e treta duhet të tërheqin të gjithë mbështetjen dhe bashkëpunimin me Izraelin, të vendosin sanksione efektive, përfshirë një bojkot gjithëpërfshirës të produkteve dhe institucioneve izraelite dhe t'i japin fund udhëtimit pa viza për izraelitët.
Shaw shpjegoi se ndërhyrja ndërkombëtare është "absolutisht e nevojshme dhe urgjente sipas detyrimit të shteteve për të parandaluar gjenocidin". Ai thotë se problemi i vërtetë është "mbështetja e presidentit të SHBA-së, Donald Trump për Izraelin dhe ngurrimi i shteteve për të dëmtuar marrëdhëniet e tyre me Izraelin si dhe me SHBA-në".