Ekspertët: Historia do ta gjykojë kryeministrin grek Mitsotakisin për takimin me Netanyahun
"Kryeministri grek Mitsotakis ka dështuar dhe do të gjykohet ashpër nga historia për takimin me kryeministrin izraelit Netanyahu dhe për përshkrimin e Izraelit si shtet demokratik", thonë ekspertët
Bruksel
SERIFE ÇETIN
Ekspertët thonë se kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka dështuar dhe do të gjykohet ashpër nga historia për takimin me kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe për përshkrimin e Izraelit si një "shtet demokratik".
David Cronin, redaktori i faqes së internetit "Electronic Intifada" dhe autor i librave "Aleanca e Evropës me Izraelin" dhe "Shija e Balfour-it", dhe profesori Kenneth Roth, ish-drejtor i Human Rights Watch (HRW), ndanë vlerësimet e tyre mbi këtë temë me gazetarin e Agjencisë Anadolu (AA).
Shkrimtari Cronin deklaroi se Greqia ka provuar të jetë një aleate besnike e Izraelit para dhe gjatë gjenocidit kundër Gazës.
Ai tërhoqi vëmendjen se është si një mësimdhënie që gazeta izraelite "The Jerusalem Post" publikoi së fundmi një artikull ku festonte se si prodhuesit izraelitë të armëve përfituan nga përpjekjet e Greqisë për të "modernizuar" të ashtuquajturat aftësi ushtarake.
"Ndër kompanitë që përfitojnë nga ky proces është 'Israel Aerospace Industries', e cila vetë krenohet se luan rol kyç në luftën kundër Gazës. Është gjithmonë e turpshme që Greqia është kaq e gatshme të blejë armë nga Izraeli", tha Cronin.
Sipas tij, bashkëpunimi i ngushtë i Greqisë me Izraelin e bën atë vend që akuzohet për ndihmë në gjenocid, ndërsa paralajmëroi se "Ndihma në gjenocid është shkelje e rëndë e së drejtës ndërkombëtare".
- "Mitsotakis praktikisht po konkurron me kancelarin gjerman Friedrich Merz"
"Kyriakos Mitsotakis duket se praktikisht po konkurron me kancelarin gjerman Friedrich Merz. Të dy vizituan Netanyahun këtë vit", komentoi Cronin duke shtuar se qëllimi i këtyre vizitave nuk ishte të sigurohej ndëshkimi dhe arrestimi ligjor i Netanyahut për gjenocid.
Cronin nënvizon se këta udhëheqës kanë një detyrim të tillë. "Qëllimi është të tregohet se Greqia dhe Gjermania qëndrojnë me Izraelin. Mitsotakis dhe Merz po e injorojnë me lehtësi faktin se Greqia është nënshkruese e Statutit të Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) dhe se GJPN-ja ka lëshuar urdhër arresti kundër Netanyahut. Historia do t'i gjykojë ashpër", thekson ai.
- "Mitsotakisi ka dështuar"
Ish-drejtori i "Human Rights Watch", profesor Kenneth Roth tha se nëse Netanyahu viziton Greqinë, qeveria greke do të jetë e detyruar ta arrestojë atë sipas urdhrit të arrestit të GJND-së.
Roth vuri në dukje se nuk ka asnjë dispozitë që e ndalon Mitsotakisin të takohet me Netanyahun. "Pyetja e vërtetë është se cili është qëllimi i këtij takimi. Mitsotakisi ka dështuar në këtë pikë. Karakterizimi i Izraelit si 'shtet demokratik' injoron pushtimin e paligjshëm të vazhdueshëm të Bregut Perëndimor, Kudsit Lindor dhe Gazës, regjimin e aparteidit që ai imponon në këto zona dhe sa larg është Izraeli nga të qenit demokratik", deklaroi Roth.
Ai thotë se Mitsotakisi është takuar më parë me Autoritetin Palestinez dhe ka riafirmuar mbështetjen e Greqisë për Autoritetin Palestinez, por se ai nuk deklaroi në mënyrë të qartë se Autoriteti Palestinez duhet të luajë rol në procesin e tranzicionit në Gaza, as nuk shprehu mbështetje për një shtet palestinez, siç kanë bërë shumë qeveri perëndimore.
"Vizita e Mitsotakisit nuk sinjalizon as edhe ndonjë distancim nga qeveria gjenocidale izraelite", paralajmëroi më tej Roth.
- Greqia thellon marrëdhëniet me Izraelin
Kryeministri izraelit Netanyahu, kryeministri grek Mitsotakis dhe udhëheqësi i Administratës Greko-Qipriote, Nikos Christodoulides, u takuan në një samit trepalësh të mbajtur në Kudsin Perëndimor më 22 dhjetor.
Në samit, doli në pah theksi te "mbrojtja" ndërsa paraqitja e Netanyahut që ka mbetur i izoluar në politikën ndërkombëtare, u komentua si një përpjekje për të "kërkuar lidhje më të ngushta me Mitsotakisin".
Më 1 prill 2025, Mitsotakisi vizitoi Netanyahun, duke u bërë "udhëheqësi i parë evropian që u takua fizikisht me kryeministrin izraelit që kur Gjykata Ndërkombëtare Penale (GJNP) lëshoi urdhër arresti kundër tij për krime lufte të kryera në Gaza".
