Ekspertët e Vatikanit: Papa i ardhshëm duhet të unifikojë kishën thellësisht të ndarë
Politi tha se pas një dekade kundërshtimesh të brendshme, papa i ardhshëm duhet të jetë dikush që mund të “sjellë unitet”, edhe pse, siç paralajmëroi ai, kardinalët shpesh nuk kanë lidhje të forta personale që e komplikon konsensusin

Vatikan
Derisa Kisha Katolike po përgatitet për konklavën e saj për zgjedhjen e papës së ardhshëm, analistët e Vatikanit thonë se kardinalët janë nën presion për të zgjedhur një papë të aftë për të tejkaluar hendekun në rritje midis krahëve reformistë dhe konservatorë të kishës.
Periudha e zisë për Papa Françeskun, i cili ndërroi jetë më 21 prill, përfundoi më 4 maj. Tani të gjithë sytë janë kthyer te Kolegji i Kardinalëve, të cilët do të mblidhen në Kapelën Sistine më 7 maj për të zgjedhur papën e ardhshëm.
Marco Politi, gazetar dhe autor italian, për Anadolu tha se “kjo është një konklavë veçanërisht dramatike".
“Kisha kurrë nuk ka qenë kaq e ndarë sa është tani në 50 vitet e fundit”, tha Politi.
Politi tha se autoriteti reformist i Papa Françeskut, i karakterizuar nga shtrirja e vëmendjes ndaj komuniteteve të margjinalizuara dhe një shtytje për transparencë dhe llogaridhënie, u përball me rezistencë të vazhdueshme nga fraksionet ultra-konservatore. Në mesazhin e tij të fundit publik para vdekjes së tij, Françesku i pranoi këto tensione dhe kërkoi unitet.
Politi tha se pas një dekade kundërshtimesh të brendshme, papa i ardhshëm duhet të jetë dikush që mund të “sjellë unitet”, edhe pse, siç paralajmëroi ai, kardinalët, veçanërisht ata jashtë Evropës, shpesh nuk kanë lidhje të forta personale që e komplikon konsensusin.
Emrat e përmendur në qarqet e Vatikanit ndër të tjerë përfshijnë kardinalin Pietro Parolin, patriarkun Pierbattista Pizzaballa dhe kardinalin Matteo Maria Zuppi.
Politi theksoi se para se të merret ndonjë vendim, kardinalët duhet fillimisht të bien dakord mbi temat dhe prioritetet që do të formësojnë drejtimin e kishës.
Gazetarja italiane, Giovanna Chirri, e cila dha lajmin për dorëheqjen e Papa Benediktit XVI në vitin 2013, tha se konklava përfaqëson një moment vendimtar.
“Papa i ardhshëm duhet ta çojë përpara trashëgiminë e Françeskut, gjithashtu duke i bashkuar fraksionet e ndryshme”, tha Chirri.
Ajo shtoi se derisa një përmbysje totale e reformave të Papa Françeskut është e pamundur, papa i ri mund të miratojë një ton më pajtues dhe një stil më pak të vendosur.
“Nëse gjatë kongregacioneve ata arrijnë në një marrëveshje mbi çështjet që do të trajtohen, atëherë ata mund të gjejnë shpejt një emër. Mund të zgjasë deri në 3-4 ditë. Por nuk mendoj se do të duhet më shumë se kaq”, u shpreh Chirri.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.