Bota

Ekipi i AA-së filmon ndërtesat e shkencëtarëve bërthamorë që u goditën në Teheran

- Në sulmet e nisura nga Izraeli ndaj Iranit më 13 qershor, humbën jetën 11 shkencëtarë bërthamorë. Shumë nga shkencëtarët humbën jetën në sulmet e kryera ndaj shtëpive të tyre në Teheran

Ahmet Dursun  | 25.06.2025 - Përdıtësım : 25.06.2025
Ekipi i AA-së filmon ndërtesat e shkencëtarëve bërthamorë që u goditën në Teheran Foto: Fatemeh Bahrami / AA

Teheran

AHMET DURSUN

Ekipi i AA-së filmoi ndërtesat në zonat e banimit civil ku shkencëtarët bërthamorë iranianë u shënjestruan në sulmet me dronë në lagjet Gisha dhe Marzdaran në kryeqytetin e Iranit, Teheran, raporton Anadolu.

Në sulmet e nisura nga Izraeli ndaj Iranit më 13 qershor, humbën jetën 11 shkencëtarë bërthamorë. Shumë nga shkencëtarët humbën jetën në sulmet e kryera ndaj shtëpive të tyre në Teheran.

Gazetari i AA-së mori informacion nga zyrtarët e sigurisë sipas të cilëve mendohet se shumica e sulmeve u kryen me mini-dronë të mbushur me eksplozivë të ngritur nga brenda vendit nga agjentë izraelitë ndërsa disa u kryen me mini-raketa.

Zona e banimit civil në lagjen Gisha të Teheranit u sulmua më 20 qershor. Sipas lajmeve të publikuara në mediat e vendit, një shkencëtar bërthamor humbi jetën në sulmin e kryer ndaj një ndërtese civile me një dron.

Ekipi i AA-së filmoi ndërtesat në lagjet Gisha dhe Marzdaran ku u goditën shkencëtarët bërthamorë iranianë.

Në sulmin në Gisha, u vu re se katet e poshtme të ndërtesës në veçanti pësuan dëme të mëdha ndërsa kolonat dhe trarët mbështetës në fasadën e përparme të ndërtesës u shkatërruan pothuajse plotësisht.

Shkalla e dëmit tregon se sulmi goditi drejtpërdrejt nivelet përdhese dhe të katit të parë të ndërtesës.

Për shkak të sulmit, dëme u vunë re edhe në ndërtesat përreth.

Një tjetër shkencëtar bërthamor u vu gjithashtu në shënjestër në lagjen Marzdaran të Teheranit. U vërejt se janë goditur katet e sipërme të ndërtesës 5-katëshe ku u shënjestrua shkencëtari dhe se kati i sipërm i ndërtesës u shkatërrua plotësisht. Është raportuar se në sulm humbi jetën një shkencëtar emri i të cilit nuk është bërë i ditur.

Përsëri në lagjen Marzdaran, një atentat ndaj një shkencëtari bërthamor u bë në shtëpinë e tij. U raportua se shkencëtari emri i të cilit nuk u zbulua, ka mbetur i plagosur nga sulmi.

Ndërkohë tërheqin vëmendjen shenjat e djegies intensive në tavan dhe kolonat e ndërtesës së goditur dhe deformimet në shkallë të gjerë në strukturë.

Përmasa e dëmit tregon se sulmi është kryer me municione me eksploziv të fuqishëm.


- Disa civilë që u larguan nga Teherani u kthyen në shtëpitë e tyre

Disa civilë që u larguan nga qyteti pas fillimit të sulmeve ndaj Teheranit u kthyen në shtëpitë e tyre pas lajmit për armëpushim.

Shihet se në sulmin e kryer ndaj shtëpive të shkencëtarëve bërthamorë janë dëmtuar rëndë edhe shtëpitë e disa prej fqinjëve të tyre. Disa civilë që u kthyen në Teheran pas armëpushimit u panë duke kërkuar sendet e tyre nën rrënoja me trishtim të madh dhe lot.

Ekipet bashkiake ende po punojnë për të hequr rrënojat e ndërtesave të dëmtuara.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.