Egjipti nënshkruan marrëveshje për blerjen e 30 avionëve Rafale nga Franca
Zëdhënësi Tamer al-Refai tha se një marrëveshje u nënshkrua midis Forcave të Armatosura Egjiptiane dhe kompanisë Dassault Aviation SA të Francës

Ankara
Egjipti ka nënshkruar marrëveshje për të blerë 30 avionë luftarakë Rafale nga Franca, bëri të ditur zëdhënësi i forcave të armatosura të vendit, Tamer al-Refai, transmeton Anadolu Agency (AA).
Tamer al-Refai në Twitter tha se një marrëveshje u nënshkrua midis Forcave të Armatosura Egjiptiane dhe kompanisë Dassault Aviation SA të Francës.
Ai theksoi se marrëveshja u bë përmes një huazimi financiar që do të shlyhet për të paktën dhjetë vjet.
Megjithatë, zëdhënësi nuk përmendi vlerën e marrëveshjes.
Al-Refai po ashtu kujtoi se një marrëveshje e ngjashme për blerjen e 24 avionëve luftarakë Rafale ishte bërë midis Kajros dhe Parisit në vitin 2015.
Më herët, ueb-faqja hulumtuese Disclose tha se marrëveshja është me vlerë 3,75 miliardë euro.
Ajo zbuloi se shitja e madhe e armëve nga Franca në Egjipt u nënshkrua "fshehurazi" më 26 prill me kërkesë të presidentit egjiptian Abdel Fattah al-Sisi.
Përveç marrëveshjes së avionëve luftarakë, marrëveshja e dakorduar midis dy shteteve gjithashtu ka të bëjë me dy kontrata të tjera me konsorciumin e prodhimit të raketave me bazë në Francë MBDA dhe firmën e avionikës Safran Electronics & Defense, me një vlerë të përgjithshme prej 200 milionë eurosh.
Si rezultat, vlera përgjithshme e marrëveshjes së muajit të kaluar arrin vlerën 3.95 miliardë euro.