Bota

Egjipt, përmbyset një anije shpimi në gjirin e Suezit

Anija e shpimit u përmbys në veri të provincës së Detit të Kuq. Tre persona humbën jetën ndërsa vazhdojnë përpjekjet e kërkimit për 21 persona të zhdukur

Hussien Elkabany, Ali Semerci  | 02.07.2025 - Përdıtësım : 03.07.2025
Egjipt, përmbyset një anije shpimi në gjirin e Suezit

Kajro

Ministria egjiptiane e Naftës njoftoi se një anije shpimi u përmbys në gjirin e Suezit në lindje të vendit, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë me shkrim, ministria tha se pak kohë më parë ka marrë informacion se anija e shpimit e quajtur "Adam Marine 12" nga kompania e naftës "Shukheir Offshore" (OSOCO) u përmbys në rajonin Jabal al-Zait.

Deklarata vuri në dukje se ministri i Naftës dhe Burimeve Minerale, Karim Badawi dhe ministri i Punës, Mohammed Jubran shkuan në vendin e aksidentit me një ekip nga secila ministri për të parë situatën në vend, për të monitoruar përpjekjet e shpëtimit dhe për të vlerësuar masat emergjente të marra për incidentin.

Në deklaratën e ministrisë thuhet se zhvillimet po ndiqen në koordinim me autoritetet përkatëse dhe kompanitë e lidhura në rajon dhe se po merren masat e nevojshme.

- Përpjekjet e kërkimit vazhdojnë për 21 persona të zhdukur

Mediat egjiptiane, përfshirë gazetën "Al-Shorouk" raportojnë se anija e shpimit të naftës u përmbys në veri të provincës së Detit të Kuq. Tre persona humbën jetën, 6 u shpëtuan dhe vazhdojnë përpjekjet e kërkimit për 21 persona të zhdukur.

Ndërsa në lajmin e faqes së internetit "Youm7" theksohet se në incident kanë humbur jetën 4 persona. Në lajmin e "Al-Shorouk" thuhet se anija e shpimit u përmbys ndërsa po tërhiqej në një vend të ri pune pranë platformës Ashrafiyah.

Autoritetet egjiptiane nuk kanë bërë ende deklaratë në lidhje me lajmet në media.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.