Bota

EBA-ja mbështet Arabinë Saudite pas akuzave të SHBA-së për vrasjen e Khashoggit

"Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin deklaratën e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite vëllazërore në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi", thuhet në një deklaratë zyrtare

İdiris Okuduci   | 27.02.2021
EBA-ja mbështet Arabinë Saudite pas akuzave të SHBA-së për vrasjen e Khashoggit

Stamboll

Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) deklaruan se mbështesin deklaratën e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Arabisë Saudite, e cila në mënyrë të prerë hodhi poshtë raportin e SHBA-së mbi vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi, transmeton Anadolu Agency (AA).

"Emiratet e Bashkuara Arabe mbështesin deklaratën e lëshuar nga Ministria e Punëve të Jashtme e Arabisë Saudite vëllazërore në lidhje me vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi", thuhet në një deklaratë të publikuar nga agjencia zyrtare e lajmeve WAM.

Deklarata pretendoi se Arabia Saudite tashmë u ka kërkuar llogari të gjithë fajtorëve për vrasjen dhe ka zbatuar ligjet në mënyrë transparente, duke shtuar se EBA-ja ka besim në vendimet gjyqësore të Arabisë Saudite.

Në deklaratë po ashtu thuhet se Abu Dhabi qëndron pranë Arabisë Saudite, e cila po lufton për stabilitetin dhe sigurinë e rajonit, dhe se "abuzimi i incidentit të vrasjes dhe ndërhyrja në punët e brendshme të Arabisë Saudite" janë të papranueshme.

Ndryshe, komuniteti i inteligjencës amerikane në një raport fajësoi zyrtarisht Princin e Kurorës Mohammad bin Salman të premten për vrasjen e tmerrshme të kolumnistit të "Washington Post", Jamal Khashoggi.

Raporti, i përpiluar nga Agjencia Qendrore e Inteligjencës (CIA), Drejtoria e Inteligjencës Kombëtare (DNI) dhe organizata të tjera të inteligjencës, arriti në përfundimin se Salman miratoi vrasjen e Khashoggi-t në Konsullatën e Përgjithshme të Arabisë Saudite në Stamboll, në tetor 2018.

DNI publikoi ​​një raport të përgatitur në vitin 2018, por administrata e Donald Trump-it nuk e bëri atë publik.

Gazetari i "Washington Post", Jamal Khashoggi, u vra në kompleksin e konsullatës Saudite në Stamboll, më 2 tetor 2018, ku ai shkoi në një takim atë ditë për të dorëzuar dokumentet e nevojshme personale për martesën.

Pas disa ditësh mohimi, autoritetet saudite pranuan se Khashoggi u vra, dhe më pas një gjykatë në Arabinë Saudite dënoi pesë të pandehur me vdekje. Tre të pandehur të tjerë morën dënime me burg në total prej 24 vjetësh. Bashkëpunëtorët e ngushtë të princit Bin Salman janë liruar nga të gjitha akuzat.

Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut (OHCHR) pretendon në një raport me 101 faqe se vrasja e Khashoggit ishte një akt të cilin Arabia Saudite e kreu me paramendim. Raporti thotë se ka prova të vlefshme për nevojën për të hetuar përfshirjen e zyrtarëve të lartë sauditë në atentat, përfshirë princin Bin Salman.

Po ashtu dhe CIA arriti në përfundimin se Bin Salman kishte urdhëruar vrasjen e Khashoggit, por Trump qëndroi në mbrojtje të Bin Salman-it nga përballja me pasojat e aktit dhe bllokoi dërgimin e raporteve të inteligjencës tek anëtarët e Kongresit Amerikan.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın