Bota

Dënohet me burgim ushtari izraelit që refuzoi luftimin në Gaza

Raportohet se një gjykatë ushtarake ka dënuar kapitenin Ron Weiner me 25 ditë burg për refuzimin e paraqitjes në detyrë sepse kundërshtoi luftën në Gaza

Said Amori, Muhammed Emin Canik  | 09.06.2025 - Përdıtësım : 09.06.2025
Dënohet me burgim ushtari izraelit që refuzoi luftimin në Gaza

Kuds

Një gjykatë ushtarake në Izrael ka dënuar një ushtar rezervist me gradën kapiten me 25 ditë burg për refuzimin e pjesëmarrjes në sulmet e ushtrisë izraelite në Rripin e Gazës, të cilat kanë vazhduar që nga 7 tetori 2023, transmeton Anadolu.

Sipas gazetës izraelite "Yedioth Ahronoth", një gjykatë ushtarake ka dënuar kapitenin Ron Weiner me 25 ditë burg për refuzimin e paraqitjes në detyrë sepse kundërshtoi luftën në Gaza, pavarësisht se që nga 7 tetori 2023 ai kishte plotësuar kohën me 270 ditë shërbimi si ushtar rezervist.

Weiner u dërgua në burg pasi iu dha një dënim 20-ditor javën e kaluar për refuzimin e luftimit në Gaza. Për shkak të një "problemi teknik" në procesin gjyqësor, Weiner u lirua në më pak se 24 orë më vonë dhe çështja e tij u rigjykua.

Gazeta vuri në dukje se Weiner është një nga aktivistët kryesorë të lëvizjes që kërkon kthimin e pengjeve izraelitë të mbajtur në Gaza, edhe nëse çmimi është ndalimi i luftës.

Një grup ushtarësh izraelitë që mbështesnin kthimin e të burgosurve izraelitë në Gaza i thanë gazetës "Yedioth Ahronoth" se kishin frikë se sulmi ushtarak i Izraelit në Gaza po vinte në rrezik jetën e pengjeve.

Thuhet se "refuzimi për të marrë pjesë në luftë në kurriz të jetës së pengjeve izraelitë në Gaza është një hap logjik" dhe se ushtarët në fjalë e mbështesin këtë. Në fund të majit, dy ushtarë në Izrael u dënuan me burg nga një gjykatë ushtarake për refuzimin e pjesëmarrjes në sulme në Gaza.

Sipas mediave hebraike, përfshirë "Yedioth Ahronoth", ushtria izraelite filloi të thërriste dhjetëra mijëra rezervistë në fillim të majit me qëllim përgatitjen për një luftë të zgjatur shfarosjeje në Rripin e Gazës.



Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın