Bota

Dyshohet se Trump u ka treguar një hartë të klasifikuar pasagjerëve në avion në vitin 2022

Presidenti amerikan Donald Trump dyshohet se u ka treguar një hartë të klasifikuar, të siguruar gjatë mandatit të tij të parë, një grupi pasagjerësh gjatë një fluturimi privat në vitin 2022

Berk Kutay Gökmen  | 26.03.2026 - Përdıtësım : 26.03.2026
Dyshohet se Trump u ka treguar një hartë të klasifikuar pasagjerëve në avion në vitin 2022

Stamboll

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump dyshohet se u ka treguar një hartë të klasifikuar që e kishte siguruar gjatë mandatit të tij të parë një grupi pasagjerësh gjatë një fluturimi privat në vitin 2022, raportoi "The Washington Post", duke cituar një dokument të prokurorisë, transmeton Anadolu.

Trump gjithashtu mbajti një tjetër dokument të ndjeshëm, në të cilin kishin qasje vetëm gjashtë zyrtarë të lartë qeveritarë, sipas një memorandumi të prokurorisë të publikuar këtë javë në Kongres.

Departamenti i Drejtësisë ndau gjetjet e tij, të detajuara në një dokument të vitit 2023 të hartuar nga ekipi i atëhershëm i këshilltarit special Jack Smith.

Memorandumi u hartua në kohën kur hetuesit po përgatiteshin të ngrinin aktakuzë ndaj Trumpit për mbajtjen e materialeve të ndjeshme qeveritare pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Ai përmend një fazë të hershme të hetimit të Smith-it dhe jep kontekst shtesë për hetimet e tij, ndërsa raporti përfundimtar mbetet ende i vulosur, duke sugjeruar se Trumpi kishte ruajtur materiale të klasifikuara të lidhura me interesat e tij të biznesit.

Memorandumi përshkruan një fluturim në qershor 2022 drejt Bedminsterit në New Jersey, ku Trumpi dyshohet se u ka treguar pasagjerëve një hartë të klasifikuar, pa dhënë detaje për përmbajtjen e saj.

Një pretendim i ngjashëm u përfshi edhe në aktakuzën e vitit 2023 nga Smith, ku thuhet se Trumpi ndau një hartë të klasifikuar të lidhur me një operacion ushtarak dhe përmendi një "plan sulmi".

Trumpi ka mohuar çdo shkelje, duke argumentuar se kishte të drejtë të mbante dokumente të tilla pas largimit nga detyra në vitin 2021.

Rasti u rrëzua më vonë nga një gjykatës federal për shkak të shqetësimeve mbi emërimin e Smith-it. Ky i fundit kishte apeluar vendimin kur Trumpi fitoi rikthimin në Shtëpinë e Bardhë në nëntor 2024, pas së cilës ai e tërhoqi çështjen në përputhje me politikën e Departamentit të Drejtësisë që ndalon ndjekjen penale të një presidenti në detyrë.

"Nëse Trumpi nuk do të kishte fituar një mandat tjetër, provat kundër tij do të ishin të mjaftueshme për të siguruar dhe mbajtur një dënim në gjykim", tha Smith në një raport të publikuar vitin e kaluar.

Megjithëse në vitin 2016 Trumpi kritikoi rivalen e tij të atëhershme në zgjedhjet presidenciale, Hillary Clinton, për menaxhimin e dobët të email-eve, ai vetë është përballur me raportime se si president u kishte treguar informacione të klasifikuara ambasadorit rus në Zyrën Ovale, kishte zbuluar lëvizje të Marinës amerikane në Oqeanin Paqësor dhe kishte zhvilluar një informim konfidencial për luftën në prani të mysafirëve në klubin e tij Mar-a-Lago, ndër incidente të ngjashme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın