Dy persona të vrarë në sulmet ajrore izraelite në jug të Libanit
Ministria e Shëndetësisë tha se sulmet kishin në shënjestër një kamion dhe një makinë në rrethet Tyre dhe Nabatieh ndërsa vazhdojnë shkeljet e armëpushimit
Stamboll
Dy persona u vranë sot si pasojë e sulmeve ajrore izraelite që shënjestruan rrethet Tyre dhe Nabatieh në jug të Libanit, njoftoi Ministria e Shëndetësisë e vendit, transmeton Anadolu.
Ministria njoftoi se një sulm izraelit më herët gjatë ditës goditi një kamion të vogël në qytetin Mansouri, në rrethin Tyre, duke vrarë një person. Një tjetër sulm izraelit gjatë natës shënjestroi një makinë në qytetin Mayfadoun, në rrethin Nabatieh, duke vrarë një person tjetër, shtoi ministria.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve e Libanit raportoi se një autoambulancë e operuar nga Shoqata Islame e Skautëve Risala, transportoi një person të plagosur në spital pas sulmit që shënjestroi kamionin e vogël në Mansouri.
Veçmas, agjencia tha se një dron izraelit po fluturonte në një lartësi shumë të ulët mbi Bejrut dhe periferitë e tij jugore.
Një armëpushim është në fuqi midis Izraelit dhe Hezbollahut në Liban që nga nëntori i vitit 2024, pas më shumë se një viti sulmesh që lanë mbi 4.000 të vrarë dhe 17.000 të plagosur, në sfondin e luftës së Izraelit në Gaza.
Sipas armëpushimit, ushtria izraelite duhej të tërhiqej nga jugu i Libanit në janar të vitit 2025, por në vend të kësaj u tërhoq vetëm pjesërisht dhe vazhdon të mbajë prani ushtarake në pesë pika kufitare.
