Do të udhëtojnë 20 mijë kilometra nga Afrika në Evropë me kafshë kukulla për të tërhequr vëmendjen ndaj krizës klimatike
Pjesëmarrësit e projektit të artit publik "The Herds" (Kopetë) do të udhëtojnë 20.000 kilometra nga Afrika në Evropë me kafshë kukulla në madhësi reale për të tërhequr vëmendjen ndaj migrimit të shkaktuar nga ndryshimet klimatike
Dakar
Pjesëmarrësit e projektit të artit publik "The Herds" (Kopetë) do të udhëtojnë 20.000 kilometra nga Afrika në Evropë me kafshë kukulla në madhësi reale për të tërhequr vëmendjen ndaj migrimit të shkaktuar nga ndryshimet klimatike.
Ekipi i "The Walk", i cili projektoi kukullën 3,5 metra të gjatë "Little Amal", e cila u krijua për të tërhequr vëmendjen mbi vështirësitë që përjetojnë fëmijët refugjatë sirianë dhe eci nga Gaziantepi në Londër, këtë herë dëshiron të tërheqë vëmendjen ndaj krizës klimatike.
Pjesëmarrësit në iniciativën e artit publik "The Herds", e cila filloi me sloganin "Nga pellgu i Kongos në Polin e Veriut", do të udhëtojnë 20.000 kilometra me 40 kafshë kukulla në madhësi reale për të tërhequr vëmendjen ndaj migrimit të shkaktuar nga ndryshimet klimatike.
Shumë aktivitete surprizë do të organizohen në zonat publike në 20 qytetet që do të kalohen gjatë gjithë udhëtimit. Grupi i cili u nis më 10 prill nga kryeqyteti i Republikës Demokratike të Kongos, Kinshasa, pas Lagos të Nigerisë, tashmë është në ndalesën e tyre të 3-të, Dakar, ku u prit me shumë entuziazëm.
Grupi "The Herds" u shfaq papritur një mbrëmje në Medinë, një nga vendbanimet ikonike dhe më të banuara të Dakarit dhe performuan një shfaqje rrugore me artistë vendas. Ditën e nesërme pjesëmarrësit e projektit u mblodhën në Ngor, lagje bregdetare e Dakarit, ndërsa duke kaluar nëpër rrugët e ngushta arritëm në plazh të shoqëruar nga njerëz vendas që këndonin këngë vendase.
Si pjesë e aktivitetit, kafshët kukulla "kërcyen" me personazhin mitologjik "kumpo", që i përket grupit etnik Jola që jeton në Senegal, Gambia dhe Guinea Bisau, në plazhin e pafund të Golf Sud në etapën e fundit të ndalesës së projektit në Dakar.
Pas shfaqjeve në Dakar, ku morën pjesë mijëra njerëz, "The Herds" do të kalojnë nëpër qytetet Marrakesh, Kazablankë, Rabat, San Fernando, Cadiz, Madrid, Barcelonë, Marsejë, Arles, Venecia, Paris, Londër, Mançester, Aarhus, Kopenhagë, Stokholm dhe Trondheim.
"Kopetë" pritet të arrijnë në Rrethin Arktik, ku do ta përfundojnë udhëtimin e tyre, në fillim të gushtit.
- Do të trajnojnë mbi 2 mijë persona për kukulla
Kukullat e para, të cilat përfshijnë një gjirafë, një gorillë dhe një zebër, u bënë nga materiale druri të ricikluar nga Kolektivi i Artit të Kukullave dhe Dizajnit Ukwanda në Cape Town.
Si pjesë e projektit, më shumë se 2.000 persona do të trajnohen nga vullnetarët për kukulla në qytetet përgjatë rrugës.
Gjatë udhëtimit projektit do t'i shtohen edhe kukulla të reja dhe numri i kafshëve kur do të arrijnë në Norvegji do të shkojë në mbi 150.
Përmbajtje e rregullt se si të krijohet kafshë kukullash në shtëpi do të ndahet në uebfaqen e projektit.
- "Kinshasan dhe Trondheimin e lidh kriza klimatike"
Drejtori artistik palestinez i "The Herds", Amir Nizar Zuabi, në deklaratën për Anadolu ndau detaje rreth projektit.
Zuabi tha se nisma "The Herds" është një vazhdim i projektit "Amal" dhe tha se ai hasi shumë refugjatë afrikanë klimatikë në Evropë ndërsa ecte nga Gaziantep në Londër me projektin "Amal", i cili filloi në vitin 2021.
Sipas tij, miliarda njerëz sot ndikohen nga çështja e klimës si "kriza më e madhe politike" ndërsa shpjegoi se vendosi të bënte një projekt tjetër rreth migracionit dhe refugjatëve ndërsa ishte "në udhëtim me Amalin".
Zuabi vuri në dukje se në projektin ku ata rindërtuan marrëdhënien midis natyrës dhe njerëzve, ata dëshironin të bashkojnë kafshët kukulla me njerëzit në hapësirat publike në një mënyrë të papritur.
Ai tha se ishte e rëndësishme që projekti të fillojë në Kinshasa. "Kriza klimatike tani është problem global dhe burimi kryesor i këtij problemi janë vendet e zhvilluara perëndimore, por ata që paguajnë çmimin më të lartë janë afrikanët. Ishte shumë e rëndësishme të niseshim nga Pellgu i Kongos, i cili konsiderohet mushkëria e dytë më e madhe në botë pas pyjeve të Amazonës. Jam krenar që jam pjesë e këtij projekti që do të zhvendoset nga Kinshasa në Trondheim (Norvegji). Kinshasan dhe Trondheimin e lidh kriza klimatike", tha ai mes tjerash.
- Deri në vitin 2050, mbi 200 milionë njerëz mund të bëhen migrantë klimatikë
Sipas Zyrës së Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët (UNHCR), më shumë se 200 milionë njerëz mund të zhvendosen nga fatkeqësitë mjedisore si thatësira, përmbytjet, stuhitë, tërmetet, zjarret në pyje, rritja e nivelit të detit dhe temperaturat ekstreme deri në vitin 2050.
UNHCR vlerëson se 21,5 milionë njerëz janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre çdo vit që nga viti 2008 për shkak të ndryshimeve klimatike.
Sipas raportit "Groundswell" të Bankës Botërore për vitin 2021, nëse ngrohja globale vazhdon me ritme të pandryshuara, Afrika Sub-Sahariane do të jetë rajoni që do të presë numrin më të madh të refugjatëve klimatikë të zhvendosur brenda vendit, me 86 milionë në vitin 2050.
