Bota

Dita Botërore e Fëmijëve në Gaza: Fëmijët palestinezë mbijetojnë në kushte të vështira nëpër tenda

Shumë prej tyre marrin përsipër përgjegjësitë e të rriturve, duke qëndruar në radhë të gjata për ujë dhe vakte, ndërsa kujdesen për vëllezërit e motrat më të vegjël për të ndihmuar familjet e tyre të mbijetojnë

Abdulbesar Ademi  | 21.11.2025 - Përdıtësım : 21.11.2025
Dita Botërore e Fëmijëve në Gaza: Fëmijët palestinezë mbijetojnë në kushte të vështira nëpër tenda Foto: Doaa Albaz/AA

Gaza

Në Ditën Botërore të Fëmijëve, fëmijët palestinezë në Gaza vazhdojnë të përballen me kushte të vështira jetese në tenda të improvizuara, duke u përballur me sfidat e përditshme të zhvendosjes dhe konfliktit, raporton Anadolu.

Fëmijët kanë qenë viktimat më të cenueshme në luftën e vazhdueshme të Izraelit në Gaza.

Duke u rritur në tenda me burime jashtëzakonisht të kufizuara, fëmijët kanë vështirësi të kenë qasje në ujë të pastër, ushqim dhe strehim të sigurt.

Shumë prej tyre marrin përsipër përgjegjësitë e të rriturve, duke qëndruar në radhë të gjata për ujë dhe vakte, ndërsa kujdesen për vëllezërit e motrat më të vegjël për të ndihmuar familjet e tyre të mbijetojnë.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se të paktën 25 palestinezë u vranë dhe 77 të tjerë u plagosën në sulmet ajrore izraelite në enklavë brenda 24 orëve të fundit, duke shënuar një shkelje të re të një marrëveshjeje të brishtë armëpushimi në fuqi që nga muaji i kaluar.

Duke shënuar Ditën Botërore të Fëmijëve, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) paralajmëroi se fëmijët në Gaza do të kenë nevojë për shumë më tepër kohë për t’u rikuperuar nga trauma e luftës izraelite, pavarësisht qetësisë së përkohshme të sjellë nga armëpushimi aktual.

Shefi i OBHS-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus, tha se pauza në luftime ka ofruar “momente qetësie” për fëmijët që kanë duruar bombardime, zhvendosje dhe humbje.

Ai tha se plagët emocionale dhe fizike mbeten të rënda edhe pasi armiqësitë po qetësohen, duke theksuar se dëmtimi i sistemit shëndetësor të Gazës vazhdon të pengojë rimëkëmbjen.

Që nga tetori i vitit 2023, ushtria izraelite ka vrarë gati 70 mijë palestinezë në Gaza, kryesisht gra dhe fëmijë, ka plagosur mbi 170 mijë të tjerë, si dhe e ka kthyer pjesën më të madhe të enklavës në rrënoja.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.