Diskutohet zbatimi i sistemit të biletës në shatërvanin e famshëm të Romës
Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, në fillim të shtatorit tha se po shqyrtojnë idenë e hapjes së Shatërvanit Trevi me rezervim dhe për një numër të kufizuar vizitorësh. Sipas tij, "ky është një supozim shumë konkret"
Romë
Ideja për zbatimin e një "sistemi të biletës" në shatërvanin ikonik Trevi që gjendet në kryeqytetin italian Romë, i njohur edhe si "Shatërvani i Dashurisë", me qëllim për të menaxhuar dendësinë turistike, ka ngjallur polemika.
Shatërvani i Trevit, i konsideruar si një shembull i arkitekturës së epokës së vonshme të barokut, i ndërtuar pranë Pallatit Poli nga arkitekti italian Nicola Salvi, i cili fitoi konkursin e hapur nga Papa i atëhershëm Klementi i 12-të në vitin 1732, është në qendër të një debati të ndryshëm këto ditë.
Që nga periudha kur është ndërtuar, shatërvani ka tërhequr një interesim të madh, ndërsa është shfaqur edhe në skena të paharrueshme të filmave kult si "Roman Holiday" dhe "La Dolce Vita".
Njerëzit që e vizitojnë Romën dhe dëshirojnë sërish ta vizitojnë kryeqytetin italian shprehin dëshirë duke hedhur monedha në shatërvan. Kjo ikonë gjithashtu është një nga vendet kryesore ku turistët fotografohen ose bëjnë propozime martese para tij.Diskutohet zbatimi i sistemit të biletës në shatërvanin e famshëm të Romës https://t.co/KI32feh1Cv pic.twitter.com/qLjf2X108S
— Anadolu Shqip (@aa_albanian) September 28, 2024
Shatërvani historik, i vizituar nga miliona turistë çdo vit, është një nga pikat e prekura nga dendësia në rritje të shpejtë turistike në Romë, veçanërisht pas pandemisë COVID-19.
Për shkak se zona rreth tij është e ngushtë dhe njerëzit që dëshirojnë të bëjnë fotografi në shkallë shpesh shkaktojnë turma të dendura, ka çuar që Bashkia e Romës të konsiderojë një masë ndryshe.
Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri, në fillim të shtatorit tha se po shqyrtojnë idenë e hapjes së Shatërvanit Trevi me rezervim dhe për një numër të kufizuar vizitorësh. Sipas tij, "ky është një supozim shumë konkret".
Kjo deklaratë ngjalli interes global pasi shatërvani është një ndër vendet më të vizituara në botë.
Ka një presion shumë të fuqishëm në vendet qendrore të Romës
Gazetari i Anadolu-t diskutoi me zyrtarët, si dhe me vizitorët se çka mendojnë rreth kësaj ideje.
Kryetar i Komisionit të Turizmit të Bashkisë së Romës dhe anëtar i Këshillit Bashkiak, Mariano Angelucci, i cili mbështet vendosjen e një sistemi biletash për shatërvanin historik, tregoi se vitin e kaluar kanë thyer një rekord me 30 milionë turistë.
"Pra, sigurisht që ka një presion shumë të fuqishëm në vendet qendrore të qytetit tonë, duke përfshirë shatërvanin Trevi", tha Angelucci për Anadolu, duke e mbrojtur idenë për sistemin e biletave për shatërvanin.
Numri rekord i turistëve, sipas tij, i ka shtyrë që të gjejnë një zgjidhje.
"Natyrisht, duke qenë se nuk është diçka që mund të bëhet për një kohë shumë të shkurtër, duhet bërë një lloj studimi, një studim fizibiliteti i caktuar. Ne po shqyrtojmë një sistem biletash të kufizuar dhe të qasshëm ditor nga shkallët përballë shatërvanit", tha Angelucci.
Ai shtoi se ende nuk kanë caktuar ndonjë çmim, por tha se flitet një çmim prej rreth 1 deri 3 euro.
Çka mendojnë vizitorët?
Shumë turistë janë kundër tarifimit në këtë shatërvan historik, ndërsa në mesin e tyre ka edhe nga ata që mendojnë se sistemi i ri që diskutohet të zbatohet mund ta ulë dendësinë dhe të mbrojë veprën historike.
Maura McCarthy, e cila ka ardhur nga Irlanda për të vizituar Shatërvanin Trevi, tha se mendon se është shumë e rëndësishme që "ky vend të qëndrojë falas për publikun, sepse është për publikun dhe nuk duhet të tarifohet".
Një turist nga Norvegjia, Andree dhe bashkëshortja e tij Kristen, nga ana e tyre kishin mendime të ndara. Andree e cilësoi si një ide të mirë pasi në këtë mënyrë mbrohet, ndërsa Kristen tha se nuk duhet të paguhet për ta parë shatërvanin.
Turisti anglez, Simon, i cili gjendej në Romë për të festuar përvjetorin e martesës me bashkëshorten, tha se në shumë vende të Romës muzetë dhe vendet e tjera paguhen shumë, prandaj është mirë që shatërvani të mbetet pa pagesë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.