Diplomatë dhe nëpunës civilë holandezë protestojnë kundër luftës dhe urisë në Gaza
Protestuesit kërkuan që Holanda të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit, duke bërë thirrje për sanksione ekonomike, ushtarake dhe politike

Hagë
Diplomatë, nëpunës civilë dhe qytetarë u mblodhën para Ministrisë së Punëve të Jashtme në Hagë për të protestuar kundër gjenocidit të vazhdueshëm të Izraelit dhe urisë së imponuar ndaj Gazës, raporton Anadolu.
Vigjilja javore e solidaritetit përfshiu pjesëmarrës që mbanin pankarta duke dënuar vrasjet, urinë dhe qëndrimin e qeverisë holandeze. Pjesëmarrësit lexuan me zë të lartë emrat e 243 gazetarëve të vrarë në Gaza, përfshirë edhe reporterin e Al Jazeera-s, Anas al-Sharif.
Protestuesit kërkuan që Holanda të mbajë një qëndrim më të ashpër ndaj Izraelit, duke bërë thirrje për sanksione ekonomike, ushtarake dhe politike. Demonstrata përfshiu diplomatë aktual dhe ish-diplomatë, si dhe ish-ministra dhe u mbyll me dy minuta heshtje në nderim të viktimave në Gaza.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, Izraeli ka vazhduar me luftën brutale në Rripin e Gazës që nga tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 61.700 palestinezë.
Në nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza. Izraeli gjithashtu po përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.