Bota

Dhjetëra të vdekur pas shpërthimit të dyshuar të gazit në një minierë në Nigeri

Dëshmitarët raportuan se disa minatorë u shpëtuan të gjallë dhe u dërguan në spitale për trajtim të menjëhershëm mjekësor

Kabir Adeniyi  | 18.02.2026 - Përdıtësım : 18.02.2026
Dhjetëra të vdekur pas shpërthimit të dyshuar të gazit në një minierë në Nigeri

Lagos

Të paktën 37 persona kanë vdekur pas një shpërthimi të dyshuar të gazit toksik në një minierë në Zurak, në Zonën e Qeverisjes Lokale Wase të shtetit Plateau në Nigerisë, thanë burime lokale, transmeton Anadolu.

Dëshmitarët raportuan se disa minatorë u shpëtuan të gjallë dhe u dërguan në spitale për trajtim të menjëhershëm mjekësor.

“Më informuan se minatorët gërmuan thellë dhe u ekspozuan ndaj një gazi që i vrau 37 prej tyre menjëherë”, tha Shafi Sambo, kryetar i të rinjve të komunitetit në Wase.

Ai shtoi se viktimat po nxirrnin zink në emër të një kompanie që besohet se është në pronësi kineze, megjithëse struktura e pronësisë nuk mund të verifikohej në mënyrë të pavarur në momentin e raportimit.

Forcat e sigurisë morën kontrollin e zonës. “Ushtarakët shkuan atje dhe rrethuan vendin për të ndaluar qasjen dhe për të parandaluar përhapjen”, tha Sambo.

Burime lokale që vizituan zonën, për Anadolu e përshkruan shpërthimin si të papritur.

“Ishte papritur. Një moment po punonin, dhe në momentin tjetër dëgjuam ulërima dhe pamë njerëz që binin. Ishte tmerr”, tha Joseph Ogah, banor i komunitetit. “Disa njerëz ende nuk janë gjetur”, shtoi ai.

Ky incident ka ringjallur shqetësime mbi standardet e sigurisë, përputhshmërinë me mjedisin dhe mbikëqyrjen rregullatore në sektorin e minierave të Nigerisë, veçanërisht në zonat rurale ku minierat joformale dhe gjysmëformale janë të zakonshme.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
Tema relevante
Bu haberi paylaşın