Dhjetëra mijëra njerëz protestojnë në Tel Aviv, kryeministri izraelit përballet me presion në rritje në vend
Demonstruesit e mbledhur në Sheshin e Pengjeve i bënë thirrje qeverisë të ndalojë luftimet dhe të angazhohet për një marrëveshje për rikthimin e pengjeve që mbahen në Gaza

Tel Aviv
Dhjetëra mijëra izraelitë kanë vazhduar protestat në qendër të Tel Avivit për të kërkuar një marrëveshje që do të siguronte lirimin e të gjithë pengjeve në Rripin e Gazës dhe fundin e luftës, raporton Anadolu.
Demonstruesit e mbledhur në Sheshin e Pengjeve i bënë thirrje qeverisë të ndalojë luftimet dhe të angazhohet për një marrëveshje për rikthimin e pengjeve që mbahen në Gaza.
Pavarësisht se protesta pasqyroi zhgënjimin në rritje për konfliktin e vazhdueshëm dhe shqetësimet për sigurinë e pengjeve, thirrjet e bëra pothuajse çdo javë akoma nuk kanë dhënë rezultatin e dëshiruar.
Hamasi vazhdimisht ka pohuar gatishmërinë e tij për të liruar të gjithë pengjet izraelite “në një grup” në këmbim të përfundimit të gjenocidit dhe tërheqjes së forcave izraelite në Gaza.
Megjithatë, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, i cili kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale, u tërhoq nga finalizimi i marrëveshjes së fundit dhe rifilloi luftën më 18 mars.
Duke refuzuar thirrjet ndërkombëtare për armëpushim, ushtria izraelite ka ndërmarrë një ofensivë brutale në Gaza që nga 7 tetori i vitit 2023, duke vrarë të paktën 59.700 palestinezë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë. Bombardimet e pamëshirshme kanë shkatërruar enklavën dhe kanë çuar në mungesë ushqimi.
Nëntorin e kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.
Izraeli përballet gjithashtu me një padi për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.