Bota

Dhjetëra mijëra njerëz mblidhen anembanë Australisë, kërkojnë sanksione ndaj Izraelit për luftën në Gaza

Organizatorët e Grupit të Veprimit për Palestinën thanë se demonstratat kishin për qëllim të bënin presion mbi qeverinë federale për të sanksionuar Izraelin dhe për të vendosur një embargo armësh

Berk Kutay Gökmen  | 24.08.2025 - Përdıtësım : 24.08.2025
Dhjetëra mijëra njerëz mblidhen anembanë Australisë, kërkojnë sanksione ndaj Izraelit për luftën në Gaza Foto: Roni Bintang/AA

Stamboll

Dhjetëra mijëra australianë janë tubuar në më shumë se 40 qytete dhe qyteza të vendit për të protestuar kundër luftës së vazhdueshme të Izraelit në Gaza, me pjesëmarrësit që bënë thirrje për sanksione ndaj Tel Avivit, raporton Anadolu.

Organizatorët e Grupit të Veprimit për Palestinën thanë se demonstratat kishin për qëllim të bënin presion mbi qeverinë federale për të sanksionuar Izraelin dhe për të vendosur një embargo armësh.

Josh Lees, një organizator i tubimit, vlerësoi turmat prej rreth 40 mijë në Sydney, rreth 60 mijë në Melbourne, rreth 10 mijë në Hobart, si dhe mijëra në Perth dhe Brisbane.

Senatorja e të Gjelbërve, Larissa Waters, tha se qeveria do të “ndjejë presionin” dhe vlerësoi pjesëmarrjen, duke bërë thirrje për sanksione ndaj Izraelit “ashtu siç kemi bërë me Rusinë”.

“Ka kaq shumë njerëz këtu që bëjnë thirrje për paqe, që bëjnë thirrje për sanksione ndaj Izraelit, ashtu siç kemi bërë me Rusinë dhe bëjmë thirrje për t’i dhënë fund tregtisë së armëve dypalëshe”, tha Ëaters në demonstratën në Brisbane.

“Australianët janë të tmerruar që po i shesim pjesë armësh qeverisë izraelite. Kjo duhet të ndalet”, shtoi ajo.

Senatorja e pavarur, Lidia Thorpe, e cila mori pjesë në tubimin në Melbourne, kritikoi furnizimin e pjesëve të avionëve luftarak F35 për Izraelin.

“E vetmja mënyrë që të fitojmë terren këtu është të bojkotojmë Izraelin në të gjitha format e tij. Ne duhet të bojkotojmë çdo gjë që prek Izraeli, çdo gjë për të cilën Izraeli qëndron”, tha Thorpe.

Senatori David Pocock nga tubimi në Canberra bëri thirrje për veprime më të forta qeveritare, duke përfshirë sanksione kundër liderëve izraelitë.

Organizatorja e tubimit në Sydney, Amal Nasser, kërkoi sanksione ekonomike “paralizuese” dhe një fund të tregtisë së armëve dypalëshe, duke theksuar urinë në Gaza si “një armë lufte të përdorur nga Izraeli për të përshkallëzuar këtë gjenocid”.

Gazetarja Antoinette Lattouf përshkroi ndikimin e luftës tek gazetarët, duke rrëfyer se si gazetari Wael al Dahdouh mësoi drejtpërdrejtë në transmetim se familja e tij ishte vrarë në një sulm ajror.

Protesta u zhvilluan gjithashtu në qendrat rajonale, duke përfshirë Mackay, Bathurst dhe Margaret River, me demonstrues që bënin thirrje për humanizëm dhe brohorisnin “Palestinë e lirë”, duke mbajtur pankarta që shkruanin “ndaloni gjenocidin”.

Që nga tetori i vitit 2023, Izraeli ka vrarë mbi 62.600 palestinezë në Gaza. Fushata ushtarake e ka shkatërruar enklavën, e cila po përballet me një uri të rëndë.

Nëntorin e vitit të kaluar, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi ​​urdhërarreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit në Gaza.

Izraeli gjithashtu përballet me një padi gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën në enklavën palestineze.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.