Dhjetëra mijëra njerëz mbeten pa energji elektrike në Berlin pas sabotimit të kabllove
Autoritetet thanë se punimet e riparimit të kabllove të dëmtuara janë në vazhdim dhe energjia pritet të rikthehet deri të enjten
Berlin
Furnizuesi i energjisë elektrike në Berlin se rreth 27.800 familje dhe 1.450 biznese mbeten të prekura nga një ndërprerje e madhe e energjisë në jugperëndim të Berlinit, transmeton Anadolu.
Sipas “Stromnetz Berlin”, lagjet Nikolassee, Zehlendorf dhe Wannsee mbetën të prekura, ndërsa energjia elektrike është rikthyer për rreth 14.000 familje dhe më shumë se 500 biznese në zonën Lichterfelde.
Autoritetet thanë se punimet e riparimit të kabllove të dëmtuara janë në vazhdim dhe energjia pritet të rikthehet deri të enjten, më 8 janar.
“Pritet që energjia elektrike të rikthehet për të gjithë klientët të enjten pasdite, më 8 janar 2026. Ekipet tona janë në terren dhe po punojmë shumë për ta rikthyer energjinë”, tha kompania.
“Shpresojmë që situata të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Herrmann, një banore që po siguron ujë të ngrohtë nga një supermarket.
Për të, nata nuk është problemi kryesor – por dita.
“Pa energji elektrike nuk ka ujë të ngrohtë dhe gatimi thjesht nuk është i mundur”, u shpreh ajo.
Një banore tjetër, Kerstin Mueller, që jeton pranë Sheshit “Meksiko”, tha se familja e saj u detyrua të qëndrojë me miq për shkak të temperaturave të ulëta brenda banesës, duke shtuar se mjekët paralajmërojnë se ndërprerjet e zgjatura mund t’i bëjnë ndërtesat të pabanueshme.
Autoritetet lokale shpallën gjendje emergjence në shkallë të gjerë, duke u bërë thirrje banorëve të qëndrojnë te të afërmit nëse është e mundur dhe të kursejnë përdorimin e telefonave derisa energjia të rikthehet.
Një grup radikal i së majtës ekstreme ka marrë përsipër përgjegjësinë për sulmin sabotues që la rreth 50.000 familje pa energji elektrike në Berlin të shtunën.
Sipas mediave gjermane, grupi “Vulkangruppe” i ka dërguar një letër policisë duke thënë se ka vënë zjarr kabllove të lidhura me një central energjetik në Lichterfelde, duke e përshkruar aktin si “një veprim në interes publik”.
Grupi pretendoi se ka sabotuar me sukses një central me gaz natyror, duke e paraqitur sulmin si akt solidariteti ndërkombëtar kundër industrisë së karburanteve fosile.
Grupi gjithashtu u kërkoi falje banorëve të lagjeve më pak të pasura të prekura nga ndërprerja, duke thënë se ndjeshmëria e tyre ndaj të pasurve është e kufizuar.
Autoritetet thanë se Vulkangruppe është lidhur me shumë zjarrvënie në Berlin dhe Brandenburg që nga viti 2011, si edhe me sulme ndaj infrastrukturës elektrike të një fabrike të Tesla-s në 2021 dhe 2024.
Zyra për Mbrojtjen e Kushtetutës në Berlin e klasifikon grupin si anarkist.
Zjarri dëmtoi kabllot elektrike, duke ndërprerë energjinë për rreth 50.000 familje dhe 2.000 biznese, duke ndikuar në mbi 100.000 persona.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
