Dhjetëra të vdekur dhe të lënduar gjatë natës së Vitit të Ri në mbarë Evropën
Ngjarja më tragjike ndodhi në Zvicër, ku një zjarr në barin “Constellation” në Crans-Montana shkaktoi vdekjen e rreth 40 personave dhe plagosjen e 115 të tjerëve, shumë prej tyre rëndë.
Bruksel
Disa persona humbën jetën dhe dhjetëra të tjerë u lënduan në mbarë Evropën gjatë natës së Vitit të Ri për shkak të zjarreve, aksidenteve me fishekzjarre dhe incidenteve të tjera relevante, thanë zyrtarë, trasnetmon Anadolu.
Ngjarja më tragjike ndodhi në Zvicër, ku një zjarr në barin “Constellation” në Crans-Montana shkaktoi vdekjen e rreth 40 personave dhe plagosjen e 115 të tjerëve, shumë prej tyre rëndë.
Autoritetet po vazhdojnë identifikimin e viktimave dhe hetimin e shkakut të zjarrit, ndërsa autoritetet italiane, franceze dhe turke po asistojnë shtetasit e tyre të prekur.
Në Poloni, dy zjarre të veçanta në banesa në Swinna Poreba dhe Sarny Wielkie shkaktuan vdekjen e një burri dhe një gruaje. Në veriperëndim të vendit, një zjarr në papafingon e një hoteli çoi në evakuimin e 19 personave, raportoi “TVP World”.
Policia polake raportoi mbi 15.600 incidente në mbarë vendin, ndalimin e 333 personave dhe arrestimin e më shumë se 100 shoferëve për drejtim nën ndikimin e alkoolit.
Në Holandë, aksidente me fishekzjarre shkaktuan vdekjen e dy personave, përfshirë një 16-vjeçar në Nijmegen dhe një 38-vjeçar në Aalsmeer, sipas mediave holandeze.
Ndërkohë, një zjarr i madh shpërtheu në kishën historike “Vondelkerk” në Amsterdam, duke shkaktuar shembjen e kullës, pjesës qendrore dhe një pjese të madhe të çatisë, megjithëse nuk u raportuan viktima.
Në Gjermani, dy persona humbën jetën në Bielefeld për shkak të fishekzjarrëve dhe dhjetëra të tjerë u lënduan në mbarë vendin. Policia raportoi incidente me përdorim fishekzjarrësh në disa qytete, përfshirë Berlinin dhe Leipzigun, që çuan në mbi 400 arrestime, sipas mediave.
Ndërkohë, një zjarr në një ndërtesë historike në Erfurt, që dyshohet të jetë shkaktuar nga një raketë e Vitit të Ri, u përhap në dy shtëpi fqinje. Nuk u raportuan të lënduar.
Në Belgjikë, tre oficerë policie u plagosën gjatë incidenteve të natës së Vitit të Ri, duke përfshirë fishekzjarrë dhe një kontroll të dështuar trafiku në Bruksel, raportoi transmetuesi në gjuhën flamande VRT.
Policia e Brukselit raportoi gjithashtu se disa autobusë, tramvajë dhe automjete u dëmtuan ose u dogjën.
Në Ghent, 28 persona, përfshirë 18 të mitur, u arrestuan për ndezje të fishekzjarrëve dhe moszbatim të urdhrave të policisë.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.
