Dhjetë tërmetet më të fortë në botë u regjistruan në Amerikën e Jugut dhe rajonin Azi-Paqësor
Rripi sizmik i Paqësorit, i quajtur "unaza e zjarrit", ka regjistruar 90 për qind të të gjithë tërmeteve në botë dhe rreth 80 për qind të tërmeteve të mëdha

Ankara
Sipas Shërbimit Gjeologjik të SHBA-së, 10 tërmetet më të rënda në historinë botërore kanë ndodhur në Amerikën e Jugut dhe vendet e Azi-Paqësorit, raporton Anadolu Agency (AA).
Rripi sizmik i Paqësorit, i quajtur "unaza e zjarrit", ka regjistruar 90 për qind të të gjithë tërmeteve në botë dhe rreth 80 për qind të tërmeteve të mëdha.
Tërmetet, të ndarë në tre kategori si tektonikë, vullkanikë dhe shkatërrues, ndodhin për shkak të çlirimit të papritur të energjisë në litosferën e Tokës që krijon valë sizmike.
Qindra mijëra njerëz humbën jetën ose mbetën të pastrehë nga tërmetet shkatërruese që goditën botën shekullin e kaluar.
Tërmeti më i madh në historinë botërore ndodhi në Kili më 22 maj 1960. Si pasojë e tërmetit me magnitudë 9,5 ballë, rreth 1.655 njerëz humbën jetën, 3.000 të tjerë u plagosën dhe dy milionë mbetën të pastrehë.
Cunami i ndodhur pas tërmetit shkaktoi dëme prej 550 milionë dollarësh në vend. Ai u përhap gjithashtu në një zonë prej 10.000 kilometrash dhe arriti në Hawaii, Japoni dhe Filipine. Valët gjigante morën 61 jetë njerëzish në Hawaii, 138 në Japoni dhe 32 në Filipine.
Tërmeti i Alaskës, i regjistruar si tërmeti i dytë më i madh, ndodhi më 28 mars 1964. Tërmeti me magnitudë 9,2, i cili zgjati tre minuta, po ashtu shkaktoi cunami.
Lëkundjet dhe dallgët e mëdha morën 128 jetë njerëzish dhe shkaktuan rreth 310 milionë dollarë dëme.
Numri i vogël i viktimave nga një tërmet i kësaj madhësie u konsiderua një "mrekulli".
Tërmeti më i gjatë ndodhi në Sumatra më 26 dhjetor 2004. Tërmeti me magnitudë 9,1 ballë zgjati rreth 10 minuta dhe preku 14 vende në Azinë veriore dhe Afrikën lindore, si dhe Indonezinë.
Rreth 230 mijë njerëz humbën jetën nga tërmeti, i cili konsiderohet si një nga fatkeqësitë natyrore më vdekjeprurëse. Për shkak të tërmetit dhe cunamit, mbi 1,7 milionë njerëz mbetën të pastrehë.
Tërmeti që ndodhi në rajonin Tohoku të Japonisë më 11 mars 2011 u regjistrua si tërmeti më i rëndë në vend deri më sot.
Tërmeti me magnitudë 9 ballë krijoi një çarje 1 kilometra në fundin e oqeanit, e cila rezultoi me një cunami në bregdetin verilindor të vendit.
Ndërsa mbi 19.000 njerëz vdiqën për shkak të tërmetit, në termocentralin bërthamor të Fukushimës ndodhi një rrjedhje.
Një tërmet me magnitudë 9 ballë që goditi Kamçatkën, në Rusinë verilindore më 4 nëntor 1952, shkaktoi formimin e valëve të larta në brigjet e Hawaiit. Edhe pse nuk pati humbje jetësh, u shkaktua një dëm prej 1 milion dollarësh.
Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.