Derisa po negociohet për armëpushim në Gaza, Izraeli përgatitet të dëbojë palestinezët nën maskën e "migrimit vullnetar"
- Ministri izraelit i Mbrojtjes, Katz tha se ata synojnë të deportojnë 600 mijë palestinezë nga rajoni në fazën e parë dhe më pas të gjithë palestinezët nga Rripi i Gazës dhe se do të krijojnë një "qytet tendash" për këtë qëllim

Kuds
KUDS (AA) - Përderisa mesazhet për armëpushim të mundshëm në Gaza priten gjatë takimit midis presidentit amerikan Donald Trump dhe kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahut në SHBA, qeveria e Tel Avivit po përgatitet të zbatojë një plan për të dëbuar me forcë palestinezët nga Rripi i Gazës në vende të tjera, raporton Anadolu.
Negociatat midis Hamasit dhe Izraelit në lidhje me një armëpushim dhe marrëveshje për shkëmbim të të burgosurve në Gaza vazhdojnë në Doha. Hamasi i informoi ndërmjetësuesit më 11 korrik se i ishte "përgjigjur pozitivisht" propozimit, por kërkoi ndryshime në disa pika.
Hamasi kërkon që Izraeli të tërhiqet nga Rripi i Gazës sipas marrëveshjes së arritur më 19 janar.
Megjithatë, sipas lajmeve të mediave izraelite, Izraeli dëshiron të mbetet në zonën e quajtur Korridori Morag, i vendosur midis qyteteve Rafah dhe Khan Younis në jug të Gazës.
Ndërsa Netanyahu theksoi se ata donin ta mbanin këtë rajon nën kontrollin e tyre edhe nëse arrihej një armëpushim, kjo ishte një nga pjesët e projekt-marrëveshjes që Hamasi e kundërshtoi më fort.
Duke mbajtur Korridorin Morag, Izraeli ndan gjithashtu qytetin e Rafahut nga Gaza.
Përderisa negociatat për armëpushim vazhdojnë, thuhet se Izraeli po përgatitet të krijojë kampe përqendrimi në Gazën jugore nën maskën e një të ashtuquajturi "qytet ndihme humanitare" ku palestinezët do të vendosen përpara se të deportohen në vende të treta.
Netanyahu e ngriti përsëri planin e migrimit në Shtëpinë e Bardhë. Në takimin e tij të fundit në Shtëpinë e Bardhë, Netanyahu ngriti çështjen e planit të Trumpit për të deportuar palestinezët nga Gaza në vende të treta, të cilin ai e njoftoi në janar.
Duke argumentuar se palestinezëve që duan të largohen nga Gaza duhet t'u jepen "zgjedhje të lira", Netanyahu tha se ata po punojnë ngushtë me administratën e Trumpit për të gjetur vende të treta ku mund të dërgohen palestinezët dhe sugjeroi se së shpejti do të arrijnë një marrëveshje me disa vende.
Trump argumentoi se Izraeli ka bashkëpunim shumë të ngushtë me vendet fqinje, duke thënë: "Diçka e mirë do të ndodhë".
- Qeveria ka vendosur
Debati midis ministrit të Financave, Bezalel Smotrich dhe shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir doli në pah në mbledhjen e kabinetit më 5 korrik në Izrael.
Elementi fillestar i debatit ishte urdhri i kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të krijuar një të ashtuquajtur "qytet të ndihmës humanitare" në Rafah, në zonën midis Korridorit Morag, i cili ndan qytetet Rafah dhe Khan Younis në jug të Rripit të Gazës dhe Korridorit Filadelfia në kufirin egjiptian.
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yisrael Katz tha se i ka dhënë udhëzime shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Eyal Zamir, që të përgatiste një plan për krijimin e të ashtuquajturit "qytet i ndihmës humanitare" në Rafah.
Katz theksoi se brenda fushëveprimit të planit në fjalë, ata synojnë të deportojnë 600 mijë palestinezë nga rajoni në fazën e parë dhe më pas të gjithë palestinezët nga Rripi i Gazës dhe se do të krijojnë një "qytet tendash" për këtë qëllim.
Ai thotë se palestinezët që hyjnë në zonë përmes kontrollit nuk do të jenë kurrë në gjendje të kthehen në pjesë të tjera të Rripit të Gazës dhe se kjo është "shumë e rëndësishme për Izraelin" në mënyrë që të realizohet qëllimi i dëbimit të palestinezëve në vende të tjera nën maskën e "migrimit vullnetar".
Është sugjeruar që Fondacioni i Ndihmës Humanitare në Gaza (GHF), i ashtuquajturi mekanizëm shpërndarjeje i ndihmës humanitare nën kontrollin amerikano-izraelit, do të krijojë "kampe përqendrimi" në Gazën jugore ku palestinezët do të vendosen përpara se të deportohen në vende të tjera.
Që nga 27 maji, afërsisht 800 palestinezë janë vrarë nga zjarri i ushtarëve izraelitë ndërsa përpiqeshin të merrnin ndihmë pasi GHF, të udhëhequra nga SHBA-ja dhe Izraeli, krijuan pika shpërndarjeje të ndihmës ushqimore në rajon.
Ekziston frika se një "kamp përqendrimi" i ri që Izraeli do të krijojë në Gazën jugore nën emrin "zonë humanitare" do të "shndërrohet në një fushë vrasjeje" për palestinezët.
- Plani i Trumpit për deportimin e ngazëlloi Izraelin
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, në janar propozoi deportimin e palestinezëve nga Rripi i Gazës në vende të tjera. Pas deklaratës së Trumpit, Izraeli tha se ka filluar punën për të zbatuar propozimin dhe kishte kontaktuar disa vende.
Izraeli, i cili ka përgatitur plan të ri sulmi për të deportuar palestinezët nga Rripi i Gazës në vende të ndryshme, vazhdon përpjekjet për të kryer spastrim etnik duke dërguar banorët e Gazës fillimisht në jug të Rripit dhe më pas në vende të tjera nën emrin "migrim vullnetar".