Demonstratat përhapen në të gjithë Iranin, u vihet flaka ndërtesave në Teheran
BBC Persian tha se zhgënjimi për rënien e monedhës së Iranit shkaktoi demonstrata në më shumë se 100 qytete dhe qyteza në të 31 provincat e vendit
Stamboll
BBC Persian raportoi sot se ndërtesave në kryeqytetin e Iranit, Teheran, u është vënë flaka ndërsa demonstratat antiqeveritare janë përhapur në të gjithë vendin, transmeton Anadolu.
Media tha se ka verifikuar pamjet që tregojnë xhamitë në lagjet Gholhak dhe Sa'adat Abad të Teheranit që janë përfshirë në flakë. Duke cituar grupet e të drejtave të njeriut, BBC Persian tha se zhgënjimi për rënien e monedhës së Iranit shkaktoi demonstrata në më shumë se 100 qytete dhe qyteza në të 31 provincat e vendit.
Irani është tronditur nga valë protestash që nga muaji i kaluar, që filluan më 28 dhjetor në Pazarin e Madh të Teheranit, për shkak të zhvlerësimit të ndjeshëm të rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike. Demonstratat më vonë u përhapën në disa qytete të tjera.
Sipas mbikëqyrësit të internetit "NetBlocks" sot në mëngjes, vendi ka qenë jashtë linje për 12 orë "pasi autoritetet vendosën ndërprerje kombëtare të internetit" për të "shtypur protestat".
Autoritetet iraniane nuk kanë publikuar shifra zyrtare mbi viktimat. Agjencia e Lajmeve të Aktivistëve të të Drejtave të Njeriut tha në një raport të mërkurën tha se të paktën 38 persona janë vrarë, përfshirë katër anëtarë të forcave të sigurisë. Agjencia raportoi për dhjetëra të plagosur dhe 2.217 të arrestuar.
Agjencia e lajmeve Tasnim tha se numri i oficerëve të policisë të plagosur gjatë protestave u rrit në 568 ndërsa 66 anëtarë të forcave paraushtarake Basij u plagosën gjithashtu.
