Delegacioni i KS-OKB-së viziton Sirinë pas 14 vitesh izolimi, takon presidentin Al-Sharaa
Vizita e sotme vjen ndërsa sirianët shënojnë përvjetorin e parë të rënies së regjimit të Asadit
Stamboll
Një delegacion që përfaqëson të gjithë anëtarët e Këshillit të Sigurimit të OKB-së mbërriti sot në Siri, për vizitën e parë në vend pas 14 vitesh, raportuan mediat zyrtare, transmeton Anadolu.
Pas mbërritjes në kryeqytetin Damask, delegacioni vizitoi lagjen e shkatërruar Jobar për të parë shkatërrimin e shkaktuar nga sulmet e kryera nga ish-regjimi i Bashar al-Assadit, tha Agjencia Arabe Siriane e Lajmeve (SANA).
Anëtarët vizituan vendet e trashëgimisë në Damaskun e Vjetër të shoqëruar nga përfaqësuesi i përhershëm i Sirisë në OKB, Ibrahim Olabi. Delegacioni i Këshillit të Sigurimit më vonë mbërriti në Qasr al-Shaab dhe zhvilloi bisedime me presidentin Ahmad al-Sharaa.
Vizita e sotme vjen ndërsa sirianët shënojnë përvjetorin e parë të rënies së regjimit të Asadit.
Zyra e medias e Ministrisë së Jashtme tha të mërkurën se vizita pasqyron mbështetjen ndërkombëtare për "Sirinë e re" dhe për përpjekjet e saj për të rindërtuar dhe forcuar sovranitetin dhe për të stabilizuar vendin pas rrëzimit të ish-regjimit.
Ajo shtoi se angazhimi i Këshillit të Sigurimit përfaqëson moment të rrallë konsensusi mbi çështjen siriane midis të gjitha shteteve anëtare, unanimiteti i parë i tillë në 14 vjet.
Assadi, udhëheqësi i Sirisë për gati 25 vjet, iku në Rusi dhjetorin e kaluar, duke i dhënë fund regjimit të Partisë Baath, e cila ndodhej në pushtet që nga viti 1963. Një administratë e re kalimtare e udhëhequr nga Al-Sharaa u formua në janar.
