Defekti teknik në hapësirën ajrore greke shkakton reagimin e opozitës
Mosfunksionimi teknik në hapësirën ajrore greke "Athens FIR" dje, i cili ndërpreu trafikun ajror në të gjithë vendin për orë të tëra, është kritikuar ashpër nga opozita
Komotini
Mosfunksionimi teknik në hapësirën ajrore greke "Athens FIR" dje, i cili ndërpreu trafikun ajror në të gjithë vendin për orë të tëra, është kritikuar ashpër nga opozita, transmeton Anadolu.
Në një deklaratë me shkrim nga SYRIZA thuhet se incidenti e ka vënë vendin në pozicion të vështirë ndërkombëtarisht dhe ka ngritur pyetje serioze dhe pa përgjigje lidhur me sigurinë e transportit ajror.
Mosfunksionimi në "Athens FIR" shkaktoi vonesa dhe anulime që prekën mijëra pasagjerë, kaos në aeroporte dhe humbje të konsiderueshme ekonomike, thuhet në deklaratën ku bëhet e ditur se problemi nuk ishte vetëm teknik, por përfshinte edhe dobësi në qeverisjen institucionale dhe menaxhimin e krizave.
Kanë mbetur pa përgjigje pyetje të tilla si pse sistemet rezervë nuk mund të aktivizoheshin, si u bë kaq e brishtë një infrastrukturë kritike kombëtare dhe pse nuk u morën masat e nevojshme paraprake pavarësisht paralajmërimeve paraprake, theksohet në deklaratën në të cilën vihet në dukje se incidenti nuk mund të shihet si "mosfunksionim aksidental", por përkundrazi si rezultat i një dobësie të parashikueshme.
Yannis Milopoulos, koordinatori i Njësisë së Transportit dhe Infrastrukturës së SYRIZA-s, pikëpamjet e të cilit u përfshinë në deklaratë, tha se incidenti dëmtoi imazhin ndërkombëtar të Greqisë. "Pezullimi prej orësh i trafikut ajror ka ngritur shqetësime legjitime lidhur me sigurinë e transportit ajror. Kjo situatë ka lënë hije të rënda institucionale dhe dëme të konsiderueshme ekonomike", tha ai.
Partia Greke e Zgjidhjes lëshoi një deklaratë duke theksuar se mosfunksionimi teknik në "Athens FIR" krijoi rreziqe serioze për sigurinë në transportin ajror. Deklarata akuzoi qeverinë për neglizhencë dhe bëri thirrje për modernizim urgjent të infrastrukturës së trafikut ajror.
Autoriteti Helenik i Aviacionit Civil (IPA) njoftoi se mosfunksionimi që shkaktoi ndërprerje të fluturimit ishte për shkak të ndërhyrjeve të përhapura në frekuencat që mbulojnë hapësirën ajrore greke "Athens FIR". Në deklaratën me shkrim nga IPA-s u raportua se dje në orën 08:59 është identifikuar parazitizëm i njëkohshëm dhe i vazhdueshëm në pothuajse të gjitha frekuencat radio që shërbejnë në "Athens FIR".
Ndërprerja gjithashtu preku linjat e dedikuara të komunikimit të përdorura në kontrollin e trafikut ajror dhe linjat telefonike operative njëkohësisht. Incidenti u përshkrua si i paprecedentë për sa i përket fushëveprimit, përhapjes gjeografike dhe kohëzgjatjes së tij, se paraziti i vëzhguar në frekuenca u paraqit si transmetim i vazhdueshëm dhe i pavullnetshëm.
