Bota

Defekti në teleferikun në një qendër skish në Itali plagos 4 persona, lë rreth 100 persona të bllokuar

Incidenti ndodhi rreth orës 11:25 me kohën lokale në resortin në Macugnaga, kur një kabinë nuk arriti të ndalojë siç duhet dhe u përplas me një barrierë në stacionin e mbërritjes

Abdulbesar Ademi  | 30.12.2025 - Përdıtësım : 30.12.2025
Defekti në teleferikun në një qendër skish në Itali plagos 4 persona, lë rreth 100 persona të bllokuar

Macugnaga

Një defekt në teleferikun në një qendër skish në veri të Italisë ka plasogur katër persona dhe ka lënë rreth 100 pasagjerë të bllokuar në lartësi të madhe për disa orë, transmeton Anadolu.

Incidenti ndodhi rreth orës 11:25 me kohën lokale në resortin në Macugnaga, në rajonin Piemonte, kur një kabinë nuk arriti të ndalojë siç duhet dhe u përplas me një barrierë në stacionin e mbërritjes.

Sipas autoriteteve të shpëtimit, në aksident u përfshinë dy kabina. Tre nga 15 pasagjerët në kabinën e sipërme pësuan lëndime dhe operatori në kabinën e poshtme gjithashtu u plagos.

Rreth 100 persona, përfshirë edhe fëmijë, mbetën të bllokuar në një lartësi prej afër 2.800 metrash. Operacionet e evakuimit me helikopter nisën menjëherë dhe të gjithë pasagjerët u zbritën në mënyrë të sigurt në luginë.

Autoritetet konfirmuan se asnjë nga lëndimet nuk ishte kërcënuese për jetën. Rasti më i rëndë përfshinte një person 59-vjeçar që pësoi një plagë në krah, ndërsa të tjerët patën gërvishtje të lehta. Gjithsej gjashtë persona morën ndihmë mjekësore.

Pistat e skive në zonë u mbyllën dhe sistemi i teleferikut u ndalua deri në kryerjen e kontrolleve të mëtejshme teknike.

Teleferiku që shërben kalimin Monte Moro u ndërtua në vitin 1962 dhe iu nënshtrua një rinovimi të madh në fillim të vitit 2023.

Në ueb-faqen e Anadolu Agency mbi sistemin rrjedhës të lajmeve të AA një pjesë e lajmeve të ofruara ndaj abonentëve publikohen duke u përmbledhur. Për abonim ju lutemi na kontaktoni.